Warning: session_start(): Cannot send session cookie - headers already sent by (output started at /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/index.php:52) in /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/wp-content/plugins/wcp-openweather/agp-core/classes/persistence/session/Agp_SessionAbstract.class.php on line 10

Warning: session_start(): Cannot send session cache limiter - headers already sent (output started at /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/index.php:52) in /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/wp-content/plugins/wcp-openweather/agp-core/classes/persistence/session/Agp_SessionAbstract.class.php on line 10

Warning: Cannot modify header information - headers already sent by (output started at /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/index.php:52) in /home/besnikzki/webapps/malishevapresswp2/wp-content/plugins/wcp-openweather/classes/UserOptions.class.php on line 90
“Zajedncia” që po troket! – Malisheva Press

“Zajedncia” që po troket!

 

Adnani foto

Ushtrimi i pushtetit shtetëror, si në nivelin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm në mënyrë të pavarur dhe të pakushtëzuar nga pushtete tjera, çfarëdo qofshin ato, është thelbi i sovranitetit shtetëror. Një përkufizim i tillë mund të duket idealist, edhe pse sovraniteti si koncept por edhe si përmasë politike, nuk lë shumë hapësirë për interpretim. Megjithëkëtë, edhe qasja më fleksibile për sovranitetin në kontekst të ndërvarësisë, nuk arrin ta dëshmojë subjektivitetin e mëtuar të Kosovës nga Serbia, i cili po bie ende pa u ngritur, duke u ndarë si në nivel territorial, ashtu edhe në atë sistemor e funksional me Serbinë dhe strukturat e saja në Kosovë.

Pafuqia e institucioneve për të shtrirë sovranitetin në tërë territorin dhe për të garantuar integritet në strukturën institucionale të Republikës, po zëvendësohet me heqje dorë praktikisht dhe formalisht, duke legalizuar kështu strukturat paralele, përfshirjen e Serbisë përmes dialogut dhe kompromiseve për çështje ekskluzivisht të brendshme, si dhe vendosjen mbi apo paralel me rendin kushtetues e sistemin ligjor, të strukturave siç janë: marrëveshja Thaçi-Daçiq e 19 Prillit, Asociacioni i Komunave, marrëveshja e fundit Mustafa-Vuçiq për drejtësinë dhe Gjykata Speciale, të gjitha përtej pakos së Ahtisarit dhe së bashku po e zhveshin në vijimësi shtetin edhe ashtu të leckosur nga elementet bazike të mëvetësisë.

Ravijëzimi i entitetit serb brenda Kosovës nuk është vetëm territorial. Natyrisht, kudo dhe kurdo që është e mundur bazohet në territor. Për Serbinë territori ishte dhe mbetet mbi të gjitha, por, në kontekst të rrethanave dhe e mbështetur në platformën e saj për Kosovën, Serbia po përdor çdo hapësirë ku nuk është shtrirë apo është liruar paraprakisht nga sovraniteti shtetëror i Kosovës për të vendosur strukturat e saja edhe në aspektin organizativ e funksional, përveçse territorial. Atje ku po arrin të organizohet territorialisht, po e bënë, fillimisht përmes decentralizimit e tani edhe përmes Asociacionit të Komunave Serbe si stad avancimi drejt përmbushjes së objektivit për autonomi të entitetit serb në Kosovë. Në këtë drejtim, Serbia njëherë po synon që thellësisht çdo segment dhe institucion të riformatohet në kontekst të subjektivitetit politik të veriut, i cili çdo ditë e më tepër po merr formë, ndërsa vetëm më pas të krijohet “Zajednica” si një strehë e një ngrehine të ndërtuar pjesë pjesë tashmë. Organizimi i veçantë për policinë, aranzhimet etnike dhe territoriale për institucionet e drejtësisë, fondi për veriun, marrëveshja për energjinë, telefoninë mobile dhe së fundmi edhe zhvillimet rreth forcave të armatosura janë tiparet që themelimin e Zajendicës më tepër e bëjnë një akt të shpalljes së entitetit sesa një bazë të përshtatshme për krijimin e tij.

Në funksion të kësaj dhe brenda gjendjes shantazhuese të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, Serbia po vepron në dy drejtime. Në njërën anë, nëpërmjet dialogut po zgjeron rolin e serbëve përtej pakos së Ahtisarit, gjersa në anën tjetër po shfrytëzon me vendosmëri mekanizmat bllokues të garantuara me pakon e Ahtisarit që përmes Listës Serbe, jo vetëm që po i rikuptimëson ato, duke bllokuar çfarëdo iniciative të institucioneve, por po e thellon ndërhyrjen me kushtëzimin e vendimeve të caktuara të qeverisë dhe mbajtjen peng të shtetndërtimit. Përderisa, Lista Serbe jo vetëm që po ngërthen qëndrimet e Serbisë në Kosovë, por më keq se kaq, ajo është një zgjatim gati mekanik dhe strukturor i Serbisë. Prandaj, çdo kërkesë, qëndrim apo vendim i saj, miratohet nga Qeveria e Serbisë pas negocimit paraprak me Qeverinë e Kosovës.

Kur kihen parasysh kushtet e Listës Serbe që u pranuan nga koalicioni aktual vetëm në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëqeverisjes dhe me rastin e miratimit të buxhetit, paradoksalisht vendqëndrimi dhe vendnumërimi rezulton më pozitiv për vendin sesa çfarëdo përpjekje për veprim nga një qeveri e tillë e vetëkurthuar, e cila me barrën e kushteve të  vazhdueshme të Listës Serbe, në çdo hap para shënon dy hapa prapa. Andaj, me të drejtë, edhe me më shumë shqetësim duhet të shtrojmë pyetjen se çfarë kushtesh tjera do të pranohen nga kjo Qeveri kur na thuhet se së shpejti FSK-ja do të transformohet në Ushtri.

Trajektorja e domosdoshmërisë së shfaqjes së subjektivitetit shtetëror ka ecur paralelisht me një proces të kundërt me këtë. Aq sa me të drejtë mund të konstatohet se angazhimi për shtet dhe Republikë të pavarur ka humbur terren përballë kompromiseve të vazhdueshme me Serbinë, të cilat jo vetëm po e gjymtojnë objektivisht sovranitetin shtetëror, por edhe po zënë vend si prani kushtetuese-ligjore të Serbisë në Kosovë, ku vetoja e serbëve çdo ditë e më tepër po shndërrohet në veton e Serbisë për çfarëdo vendimi strategjik, sistemor e zhvillimor të Kosovës.

Adnan Rrustemi – Përfaqësues i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në KQZ