Ymeri: Mustafa, sa qesharak e naiv, aq edhe dinak e i poshtër

visar_ymeriKryetari i Vetëvendosjes z.Visar Ymeri, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Isa Mustafa rreth Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, duke përdorur ndaj tij edhe shprehje fyese.

Në vazhdim sjellim reagimin e tij të plotë:

Sa qesharak e naiv, aq edhe dinak e i poshtër. Isa Mustafa, në deklarimin e tij të fundit për Zajednicën, e barazon Republikën e Kosovës me Serbinë e Millosheviqit, duke tërhequr paralele mes represionit fashist gjenocidal të Millosheviqit ndaj shqiptarëve dhe mënyrës se si janë trajtuar serbët në Kosovë deri në themelimin e Zajednicës.

Thelbësisht kjo mënyrë e të menduarit është identike me ligjërimin, gjithnjë të falsifikuar të pushtetit dhe akademisë së Serbisë, se serbët o qeverisen nga Beogradi o shtypen e përndiqen. Sigurisht se na kujtohet: kjo mendësi është përdorur gjatë viteve të ’80-ta për ta arsyetuar pastaj suprimimin e autonomisë së Kosovës më 1989. Serbët po përndiqen, dhunohen, e po dëbohen nga shtëpitë e tyre në Kosovë, prandaj Serbia duhet të ndërhyjë që t’i shpëtojë ata, thoshte Qosiqi, pastaj Millosheviqi, etj.

Dhe tash Isa Mustafa, duke e përdorur të njëjtën “frikë” të serbëve të Kosovës nga shqiptarët, po i arsyeton kompetencat përfaqësuese e ekzekutive të Zajednicës (paradoksalisht duke e pranuar atë që deri dje thoshte se nuk ekziston), me fjali sikur “kanë të drejtë të shërohen si duan vet”. Këtu fshihen bashkë, së pari, mendësia hegjemone e Serbisë (kudo që ka serb do të ketë institucione serbe). Pastaj racizmi (mjek i mirë për serbët është vetëm mjeku serb). Mosbesimi absolut në vet shtetin e Kosovës kryeministër i së cilës deklaron se është (se ne kurrë nuk mund të ndërtojmë shëndetësi efikase në Republikën tonë).

Dhe së fundi naiviteti (se mënyrën e të shëruarit po e caktojka pacienti, e jo eksperti mjekësor). Kjo zgjerohet pastaj në secilën fushë, në të njëjtën mënyrë, me të njëjtat mekanizma. Kështu pra, sipas Mustafës, edhe arsimin do të duhej t’ia lëmë Serbisë se e ka sistemin më të mirë; energjinë gjithsesi; telefoninë ta kenë kompanitë e Serbisë se janë më të mira; gjyqësinë, sepse ne e dëshmuam se nuk mund të ndërtojmë gjyqësi efikase dhe serbët e Kosovës janë të sigurt vetëm nëse gjykatësi është serb; e njëjta vlen edhe për policinë; po edhe për zhvillimin ekonomik e social, gjë në të cilën serbët mund të ndihen të sigurt vetëm nëse këtë ua garanton Serbia përmes Zajednicës, gjë për të cilën natyrisht se Zajednica duhet t’i ketë kapacitetet nën menaxhim. E kështu me radhë.

Isa Mustafa, më herët u bë apologjeti kryesor i Jabllanoviqit, duke u munduar ta relativizojë secilën deklaratë të tij, deri sa u detyrua ta shkarkojë atë. Tash po flet sikur president i Zajednicës, e jo si kryeministër i Kosovës.