VV: Qeverisja Begaj po helmon tokën dhe po ua rrezikon shëndetin e banorëve të Mleqanit (Video)

Nëpërmjet një video/komunikate të publikuar, Lëvizja VETËVENDOSJE! në Malishevë, ka shfaqur dështimin e qeverisjes komunale, lidhur me projektin e kanalizimit në fshatin Mleqan. Në këtë video shihet se si gypat e kanalizimit në këtë fshat janë bllokuar dhe ujërat e zeza kanë vërshuar sipërfaqe të mëdha të tokave bujqësore. Derdhja e këtyre ujërave të zeza përveç që po shkatërron tokën bujqësore, po ua rrezikon edhe shëndetin e banorëve të fshatit Mleqan.

Më poshtë keni video/komunikatën e publikuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Malishevë:

Qeverisja Begaj po helmon hektarë të tërë tokash dhe po rrezikon shëndetin e banorëve

Para disa ditësh ishim në një vizitë në fshatin Mleqan ku së bashku me aktivistë dhe banorë të këtij fshati pamë nga afër gjendjen skandaloze të kanalizimeve në këtë fshat.

Rrjeti i kanalizimit në fshatin Mleqan është punuar për disa vite rresht. Fillimisht lagja Shabanaj me vetiniciativë kishte rregulluar vet kanalizimin para më shumë se dhjetë vitesh.

Në kohën e qeverisjes Kilaj gjegjësisht në vitin 2013 ishte shtruar kanalizimi në lagjet Mustafaj, Gashët për të vazhduar më pas gjatë qeverisjes Begaj deri në këtë vit në lagjen Sejdiaj.

Pamjet e regjistruara tregojnë për gjendjen e këtyre kanalizimeve për të cilat janë shpenzuar mijëra euro nga buxheti i taksapaguesve por që i ka shndërruar livadhet dhe arat e këtij fshati në moçalishte  ku përveç kundërmimit janë infektuar hektarë të tërë duke shkaktuar ndotje enorme me pasoja për shëndetin e banorëve pasi që shumë nga bagëtitë kullosin në këto ara dhe livadhe.

Kryerja  shkel e shko e punëve dhe pa plan projektues duke i lënë gypat e kanalizimit të rrjedhin jashtë tokës vetëm disa metra lag shtëpive të fshatit tregon për papërgjegjësinë e qeverisjes komunale e udhëhequr dje nga Kilaj dhe sot nga Begaj me të njëjtin model i cili kudo që prek e bën gjendjen edhe më të keqe se sa që ka qenë.

Kjo formë e investimeve, në vend që tua lehtësoj jetën banorëve në fakt po u vështirëson edhe më shumë atë, duke u sjellë probleme të përditshme nga bllokimi i gypave, duke ua rrezikuar shëndetin dhe dëmtuar mjedisin që ka sjellë deri tek shkatërrimi i hektarëve të tërë të tokave dhe arave të bukës gjë që përbën rrezikim të shëndetit dhe sigurisë jetësore të banorëve dhe dëmtim të pasurisë së tyre që sipas nenit 347  kodit penal janë të cilësuar si vepra penale që sanksionohen me burim deri në 8 vite.

Jeta dhe shëndeti i qytetarëve fatkeqësisht po shihen vetëm nga prizmi i votës dhe aspak si obligim institucional dhe si e drejtë për jetë me dinjitet dhe mirëqenie.

Kjo duhet të ndryshoj dhe ndryshimi nuk vjen nga ata që e kanë katandisur deri këtu Malishevën dhe Kosovën.

Andaj, angazhimi i përbashkët qytetar për ta ndalur këtë degradim është mundësia e vetme.