VV për fjalimin e presidentit: “Pronto” dëshmon se ky njeri është koka e krimit në Kosovë

largea_minister-hashim-thaci-6m1378020159Sot, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një fjalim në Parlamentin e Kosovës, ku mungonin të gjithë deputetët e opozitës.

Thaçi, në fjalimin e tij vjetor iu adresua vetëm deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi që Vetëvendosje, AAK  dhe Nisma bojkotuan këtë seancë, ku pikë e vetme e Rendit të Ditës ishte fjalimi i presidentit.

Zyrtari për media në Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti, i tha Periskopit se për Vetëvendosjen, figura e Hashim Thaçit është jashtëzakonisht kontraverse, prandaj për këtë subjekt politik, është fatkeqësi e madhe për Kosovën që “ky njeri bart formalisht këtë pozitë shtetërore.”

“I ashtuquajturi President është i kontestueshëm nga një spektër i gjerë politik dhe qytetar, dhe figura e tij është tejet negative si në publikun vendor, edhe në atë ndërkombëtar. Për dy vite mandat si kryeministër, por edhe me aktivitetin e tij politik paraprak, Hashim Thaçi i ka sjellë vendit dëme të shumta e të mëdha. Pra, flasim për një president, i cili jo vetëm ne deklarimin e sotëm në Kuvend, por edhe në fjalime të tjera të mehershme, përtypë të pavërteta dhe thur fjali monotone që shpërfaqin më së miri hipokrizinë dhe djallëzinë e tij”, tha Hoti.

Sipas Hotit, është pikërisht Hashim Thaçi që dëgjohet gjersa  flet për luftimin e korrupsionit dhe krimit e shtetin e së drejtës, teksa, sipas tij, përgjimet e Pronto’s flasin më së miri se si i njëjti është koka e krimit në Kosovë.

“Është Hashim Thaçi që për dy vite mandat si KM në shumicën e raporteve ndërkombëtare e ka përkeqësuar gjendjen e Kosovës. Është Hashim Thaçi i cili na flet për bashkim të Mitrovicës, shtrirje të sovranitetit dhe integritet territorial, përderisa ky është fajtori kryesor për ndarjen e Mitrovicës dhe tentimin që të na e sjellë “Zajednicën” dhe demarkacionin e gabuar me Malin e Zi”, ka theksuar ai.

Vetëvendosje mban ende qëndrimin se ky njeri, i cili vendin e ka zhytur në varfëri e mjerim, krim e korrupsion, dhunshmëm u instalua në pozicionin e të parit të vendit.

“Duke shkelur e dhunuar popullin dhe me besimin që e mori nga deputetët pakurrizorë të LDK’së, ai u zgjodh në krye të vendit, por duke mos qenë asnjeherë figurë unfikuese, siç edhe duhet të jetë presidenti. Ai mbetet i papranueshëm dhe mbetet një president i dobët i cili nuk ka shumë dallim nga presidentja paraprake Jahjaga, përveç në bagazhin kriminal që ka ky”, ka thënë në fund Hoti. /Periskopi/