VV Malishevë: Tallja e Milionerit Limaj me të papunët dhe të varfërit e Malishevës është e papranueshme

Lëvizja Vetëvendosje Qendra në Malishevë, nëpërmjet një komunikate për media ka reaguar lidhur me gjuhën e ashpër dhe fyese të kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, i cili ditë më parë gjatë një tubimi elektoral me simpatizantët e partisë së tij kishte drejtuar gjuhë të ashpër dhe urrejtje ndaj një pjese të ndjeshme të qytetarëve në Malishevë të cilët jetojnë në gjendje të rënë sociale.

Limaj përmes një video të publikuar në media, meqë tjerash ishte shprehur se  ‘Mashklli i punës që han gjithë ditën fara, merr social, ia ofron punën, e refuzon punën, mos t’dhimet ai”,

Në reagimin e Vetëvendosjes thuhet se  ‘Varfëria në Malishevë dhe Kosovë nuk i ka rrënjët nga dembelia siç thotë Limaj por nga keqqeverisja, krimi dhe korrupsioni i pushteteve të deritanishme ku Limaj jo rastësisht përfundoi si milioner, kurse gjysma e Malishevës të pa punë e mijëra të rinj jashtë vendit”  thuhet mes tjerash në komunikatën për media të Vetëvendosjes.

Më poshtë komunikata e plotë e VV-së”

Ditëve të fundit kur humbja e Nismës po shihet që do të ndodh edhe në Malishevë, kryetari i saj ka filluar një fushatë të çakorduar ku në një nga tubimet elektorale ka fyer rëndë qytetarët e Komunës së Malishevës.

Limaj, ka thënë se në Malishevën e “tij” e që ne mendojmë që më së paku është e tij, “burrat hanë fara e marrin social”, por Limaj nuk e di gjendjen reale në Malishevë, sepse ai ka vite që jeton në luksin e milionave dhe pushtetit në lagjet më të pasura të Prishtinës. Një fyerje e tillë për qytetarët e Malishevës është e papranueshme kur e dimë se malishevasit janë njerëz punëtorë, njerëz të fjalës e të punës.

Ndihmat që marrin familjet në nevojë janë të pamjaftueshme për një jetë të dinjitetshme kurse të abuzosh e përgojosh këto familje është e rëndë për njerëzit që pa fajin e tyre e për fajin e pushteteve korruptive vazhdojnë të jetojnë në varfëri.

Varfëria në Malishevë dhe Kosovë nuk i ka rrënjët nga dembelia siç thotë Limaj por nga keqqeverisja, krimi dhe korrupsioni i pushteteve të deritanishme ku Limaj jo rastësisht përfundoi si milioner, kurse gjysma e Malishevës të pa punë e mijëra të rinj jashtë vendit.

Ta trajtosh varfërinë dhe rastet sociale në mënyrë të tillë paraqet përveç se fyerje dhe diskriminim edhe poshtërim, linqim dhe gjuhë të urrejtjes ndaj një kategorie shoqërore e cila është në këtë gjendje për fajin e politikanëve dhe politikave të cilat Fatmir Limaj dje dhe Nisma sot po i aplikon.

Përtej, fushatës zgjedhore dhe zgjedhjeve të së dielës, qytetarët e Malishevës pa dallim duhet të ngrihen dhe distancohen kundër gjuhës dhe veprimeve të tilla shtypëse, fyese dhe poshtëruese ndaj kujtdo dhe nga kushdo.

Të jesh i varfër nuk është e turpshme, por të pasurohesh si politikan në kurriz të varfërisë së qytetarëve,  përveçse është e turpshme është edhe kriminale.

20.10.2017

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra Malishevë.

Po ashtu më poshtë gjeni videon dhe fjalët fyese të Limajt: