Viva Fresh-it iu kapën 573 kg mish të prishur në frigorifer (Dokument)

Më 13 shkurt të këtij viti frigoriferët e VIVA FRESH’it në hyrje të Mitrovicës, nuk u hapën si zakonisht. Derën e tij e çeli inspektori komunal, i cili gjeti një sasi të konsiderueshme të mishit që nuk dukej i freskët.

Për këtë, Inspektorati Komunal ka kryer procedurat e nevojshme, pas të cilave është kuptuar se mishi dhe produkte të tjera të mishit të ngrirë ishin të dyshimta dhe kështu rrezikonin në mënyrë serioze shëndetin e konsumatorëve, shkruan gazetametro.net.

“Me datë 13.02.2018 kemi kryer kontrollin inspektues në “Viva Fresh” SHPK i cili veprimtarinë e zhvillon në Shupkovc-Mitrovicë, ku u konstatua se në frigon e këtij subjekti afarist ndodhet një sasi prej 573.40kg e mbetjeve të mishit dhe mishit i cili është i ngrirë dhe nuk ka kurrfar deklaracioni dhe nuk dihet destinimi i tij. Me këtë veprim ka rrezikuar në mënyrë serioe shëndetin e konsumatorëve që furnizohen me ushqime jo të sigurta dhe të papërshtatshme për konsum”, thuhet në procesverbalin që e ka siguruar Metro.

Ndërkaq, në fotografi shihet që mishi i kapur në frigorifer është asgjësuar pasi ishte i prishur. Stafi i këtij marketi në shoqërinë e inspektoratit e kanë hedhur këtë sasi mishi në deponinë e mbeturinave në Koshtovë të Mitrovicës.

Metro ka biseduar me drejtorin e Inspektoratit në Mitrovicë, i cili përveç se ka konfirmuar shpeshtimin e aksioneve, ka thënë për dy rastet e raportuara se qëllim ka qenë parandalimi i përdorimit të produkteve të prishura.

“Ne kemi kryer këto aksione për të mbrojtur qytetarin, siç edhe na takon me ligj”, ka thënë Hysni Ahmeti.

Drejtori ka bërë të ditur që ka nisur edhe procedurat ligjore ndaj pronarit, duke inicuar kërkesë për nisjen e procedurave kundërvajtëse.

E kontakti me VIVA FRESH ka qenë thuajse i pamundur. Metro ka kontaktuar numrin zyrtar të kësaj kompanie që është deklaruar në Agjencine e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, mirëpo personi që u përgjigj nuk tregoi identitetin, me arsyetimin se thirrja ishte gabim. Hezitimi i tij për të folur erdhi pasi u sqarua se po flet me një gazetar. E më pas, VIVA nuk është përgjigjur as në numrin e thirrjeve, i cili është publikuar me qëllim të kujdesit për konsumatorit.

Ndërkohë, Metro më herët publikoi një artikull ku sqarohej konfiskimi i 1.1 toni mish brenda një javë në dy markete në Mitrovicë. Pas VIVA FRESH, Metro do të publikojë dokumentet edhe të marketit tjetër që iu konfiskua mishi i prishur.