Vihet në funksion B1-shi, KEK-u thotë se operon me kapacitete të plota

Rënia e Bllokut B1 të termocentralit “Kosova B” dhe pamundësia për të importuar energji elektrike, ka bërë që gjatë ditës së shtunë të ketë reduktime në të gjitha qytetet e Kosovës.

Sipas operatorit të shpërndarjes së energjisë, paralajmërimi për uljen e sasisë së prodhuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka qenë i vonshëm, dhe si pasojë e kërkesës së madhe, është pamundësuar mbulimi i kësaj sasie përmes importit, shkruan sot Koha Ditore.

“Planet e tilla, sipas procedurave standarde, duhet të dërgohen një muaj më herët. Ne e kemi bërë të pamundurën që të importojmë sasinë e nevojshme, mirëpo ka qenë e pamundur të realizohet për shkak se ka pasur ulje të temperaturave dhe kjo automatikisht e rrit kërkesën për energji elektrike. Në këto raste paraqiten vështirësi të mëdha për realizim të importit”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Sipas tij, gjatë ditës së shtunë, reduktime ka pasur në të gjitha komunat e Kosovës.