Veturat e shtetit në shfrytëzim nga OJQ dhe media

vetura-zyrtare-para-qeverise-driton-bublaku-6-780x439-750x375

Keqpërdorime të tjera të veturave zyrtare ka evidentuar edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm për ministritë përkatëse.

Kjo Zyrë, në Ministrinë e Infrastrukturës kishte evidentuar se vetura zyrtare me tabela “3Z-009-08” në mandatin e kaluar qeverisës që ka qenë në shfrytëzim nga zëvendësministri, nuk ishte kthyer në ministri pas përfundimit të mandatit në dhjetor 2014, shkruan sot Koha Ditore.

Gazeta nga burime zyrtare brenda ministrisë e ka marrë vesh se bëhet fjalë për zëvendësministrin, Emin Krasniqi.

Ai sipas ZAP-it e kishte kthyer veturën në muajin prill të vitit 2015, saktësisht 4 muaj pas përfundimit të mandatit.

“Ne kemi testuar faturat për karburante dhe kemi identifikuar se për muajt dhjetor 2014, janar, shkurt dhe mars 2015 kanë ndodhur shpenzimet në mënyrë jo të rregullt. Vlera totale e furnizimit për këtë periudhë është 3.745 euro”, thuhet në raportin e ZAP-it.

Kjo zyrë ka evidentuar raste të keqpërdorimit të veturave edhe në ministri të tjera. Sipas ZAP-it, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, shtatë automjete, me vendim të ministrit, ishin dhënë tek institucionet tjera në shfrytëzim. Madje, dy prej tyre janë dhënë në shfrytëzim tek institucionet jopublike, një në organizatë joqeveritare dhe tjetra në një radiotelevizion privat.

“Automjeti me targa ‘3Z-163-18’, më datë 5 gusht 2013 i ishte dhënë në shfrytëzim organizatës joqeveritare ‘Multietnicka OJQ Agro Fokus’ në Komunën e Istogut dhe automjeti me targa ‘3Z-158-18’, më datë 26 gusht 2015 i është dhënë në shfrytëzim për një vit Radio KIM”, ka bërë të ditur ZAP.

Por, pas pranimit të draftraportit të auditimit, MKK-ja kishte marrë masa të menjëhershme dhe ka ndërprerë marrëveshjet me të dy institucionet jopublike.

ZAP-i ka evidentuar se në pesë raste kanë hasur në tejkalim të limiteve të lejuara të derivateve për automjetet private, pa vendim paraprak të miratuar nga përgjegjësit.

Madje në 40 raste nuk ishin raportuar shpenzimet e derivateve për veturat e ministrisë.

Në Ministrinë e Administratës Publike, ZAP-i ka evidentuar se nuk është vënë në funksion kontrolli adekuat për menaxhimin e automjeteve zyrtare.

“Në katër raste nuk ishin mbajtur evidenca të rregullta që arsyetojnë shfrytëzimin e automjeteve, fletudhëtimet apo dokumentet e nevojshme për regjistrimin e kilometrave dhe shpenzimeve të realizuara siç kërkohet me UA nr. 03/2008”, ka evidentuar ZAP-i.

Keqpërdorime të veturave zyrtare janë evidentuar edhe në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Në këtë ministri për pesë zyrtarë ishte lëshuar autorizimi për shfrytëzim të veturës jashtë orarit të punës nga sekretari i përgjithshëm, pa vendim të ministrit, gjë që kërkohet me Udhëzim Administrativ për përdorimin e veturave zyrtare.
Për veturat e shfrytëzuara nga kabineti i ministrit nuk mbahen evidenca për kilometrat e kaluara dhe karburantet e shpenzuara.

Edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pa autorizim të ministrit katër automjete janë përdorur nga zyrtarët e lartë të ministrisë edhe pas orarit zyrtar.
ZAP-i ka rekomanduar pjesën dërmuese të ministrive që sigurojnë nëse janë vendosur kontrollet e duhura, të cilat mundësojnë menaxhimin e pasurisë në përputhje me kërkesat ligjore.