Vetëvendosje: Nisma në panik-Militantët e saj sulmuan kandidatin për asamble  Muhamet Bytyçi

Përmes një komunikate Lëvizja VETËVENDOSJE! ka reaguar ndaj sulmit që i është bërë aktivistit të saj në Malishevë, Muhamet Bytyçi.

Sipas komunikatës tre aktivistë të partisë Nisma kanë sulmuar Bytyçin i cili ka marrë plagë trupore.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka dënuar ashpër këto veprime dhe ka ftuar organet e rendit e drejtësisë që t’i nxjerrin sulmuesit para përgjegjësisë.

‘’Kurrfarë presioni dhe asnjë lloj sulmi nuk e ndalë rritjen dhe fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet lokale të 22 tetorit’’thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Ja komunikata e plotë:

TË VIHEN PARA PËRGJEGJËSISË SULMUESIT E AKTIVSTIT MUHAMET BYTYÇI

Sot, në mesditë, tre aktivistë të partisë “Nisma për Kosovën” kanë sulmuar fizikisht aktivistin dhe kandidatin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Kuvendin Komunal të Malishevës, Muhamet Bytyçi. Nga ky sulm, Muhamet Bytyqit i janë shkaktuar lëndime trupore.

Ky veprim kriminal dhe i papranueshëm flet edhe për panikun e madh të Nismës për Kosovën para zgjedhjeve të 22 Tetorit. Kjo parti që ka tradhtuar zgjedhësit e saj duke hyrë në koalicion me PDK-në është tashmë e vetëdijshme se e ka rënien të pandalshme. Ndaj, gjendjen e saj të rëndë po e manifeston me veprime të këtilla.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i dënon ashpër këto veprime dhe fton organet e rendit e drejtësisë që t’i nxjerrin sulmuesit para përgjegjësisë.

Kurrfarë presioni dhe asnjë lloj sulmi nuk e ndalë rritjen dhe fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Përkrahja e madhe popullore për Lëvizjen VETËVENDOSJE! shënon fundin e mendësisë qeverisëse së vjetër e cila e ka degraduar Malishevën dhe tërë vendin. Ky model qeverisës merr fund më 22 Tetor.