Vetëvendosje në Malishevë jep rekomandime për konkursin në arsim

levizja malisheve

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Malishevë, nëpërmjet një komunikate për media ka reaguar lidhur me konkursin e fundit të shpallur nga drejtoria e arsimit në Malishevë. Sipas Vetëvendosjes, gjendja në sektorin e arsimit në Komunën e Malishevës, vazhdon të shoqrohet me probleme serioze. Probelmet janë duke filluar nga ato menaxheriale nëpër shkollat e deri tek stafi edukativë e arsimorë dhe infrastruktura. Po ashtu konkurset për drejtor të shkollave dhe për mësimdhënës në vazhdimësi janë përcjell nga një praktikë e ndërhyrjeve të vazhdueshme nga pushteti lokal duke vazhduar deri në këtë shkallë degradimin e arsimit në komunën tonë. Thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Më poshtë keni reagimin e plotë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Konkursi i ri, problemet e vjetra në sektorin e arsimit

Ditë më parë Drejtoria e Arsimit në Malishevë, ka shpallur konkursin për plotesimin e vendeve të lira për 27 mësimdhënës dhe 6 drejtor shkollash në disa shkolla të Komunës së Malishevës.

Ka vite që arsimi në Komunën e Malishevës është kapur dhe përdoret nga pushteti lokal si mekanizëm i punësimeve partiake dhe rehatimeve të familjarëve të pushtetarëve të cilat kanë vënë sektorin e arsimit në gjendje të rëndë dhe pothuajse të pashpresë ku viktimat e vetme mbeten nxënësit, fëmijët tanë.

Lëvizja VETËVENDOSJE Qendra në Malishevë, vazhdimisht ka reaguar dhe paralajmëruar për degradimin që po i bëhet sektorit të arsimit në Malishevë, duke e shprehur kështu gjithnjë  shqetësimin tonë për pasojat afatgjata që do t’i kenë këto veprime të paligjshme dhe  kriminale të cilat për vite të tëra e kanë shkatërruar institucionin që do duhej të shpërndante dije.

Sot, ne i bashkohemi shqetësimit dhe thirrjes së prindërve, mësimdhënësve të devotshëm dhe profesional dhe qytetarëve të Malishevës për ndalimin e praktikave të deritanishme degraduese në procesin më të rëndësishëm të shkollimit dhe formimit të nxënësve.

Ne kërkojmë nga Kryetari Begaj dhe drejtori i arsimit që t’i jepet fund larjeve të borxheve partiake-familjare me vende pune në arsim por edhe kudo, në të kundërtën vazhdimi i praktikave të mëparshme jo vetëm që e përkeqëson gjendjen në arsim, por edhe paraqet rrezik fizik për sigurinë e nxënësve ku deri më tani ka pasur një numër rastesh nga të cilat janë cenuar të drejtat dhe siguria e nxënësve por edhe e mësimdhënësve duke vënë në pikëpyetje misionin që kanë institucionet arsimore.

Ne presim që procesi i përzgjedhjes së mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave të bëhet konform ligjeve dhe rregulloreve të parapara për sistemin e arsimit parauniversitarë në Kosovë, duke zbatuar edhe praktikat më të mira, dhe në këtë mënyrë t’i japin fund, manipulimeve të çfarëdo forme në këtë sektor duke shfrytëzuar zbrazëtirat eventuale për të zgjedhur staf joprofesional, joadekuat dhe mbi të gjitha të paaftë por që po rastisin të jenë anëtarë të Nismës apo familjarë të ngushtë të strukturave të kësaj partie.

Prandaj, duke u nisur nga këto fakte, dhe duke pasur parasysh që shkollat dhe institucionet arsimore duhet t`i shërbejnë dijes dhe avancimit të nxënësve, dhe jo agjendave partiake klienteliste, ne i rekomandojmë kryetarit të komunës si dhe drejtorisë së arsimit ndërmarrjen e këtyre hapave të cilët ne i konsiderojmë që janë si parakusht për parandalimin e qasjes institucionale degraduese ndaj sektorit të arsimit, gjithashtu konsiderojmë që rekomandimet tona janë edhe si parakusht për të siguruar përzgjedhje të paanshme dhe profesionale të stafit edukativ-arsimor.

  • Drejtoria e Arsimit dhe Edukimit në Malishevë, në radhë të parë duhet t’i eliminoi të gjitha parregullësit dhe format e manipulimit, si fshehjen e orëve, zëvendësimet e jashtëligjshme, si dhe ndaljen e të gjitha veprimeve me anë të cilave e ka degraduar deri me tani sektorin e arsimit ne komunën tonë.
  • Të bëjë shkëputjen e kontratave të punës me gjithë ata punonjës të arsimit të cilët janë të përfshirë në çfarëdo forme në skandale të ndryshme të manipulimit, sidomos me ata të cilët janë pjesë e skandalit të falsifikimit me diploma, dhe me gjithë të tjerët që në çfarëdo forme kanë shkelur ligjin dhe etiken profesionale të punonjësit në arsim.
  • Të kërkoj vazhdimisht përgjegjësi dhe llogaridhënie, ndaj drejtorëve dhe mësimdhënësve për të gjitha shkeljet dhe parregullsitë që ndodhin brenda dhe jashtë procesit mësimor, për numrin e madh të mungesave të nxënësve, e të mësimdhënësve, dhe për të gjitha problemet e sidomos ato në aspektin disiplinor.
  • Të kërkoj përgjegjësi dhe të ndërmarr masat disiplinore ndaj gjithë atyre të cilët në çfarëdo forme bëhen pjesë e manipulimit të testeve kombëtare të arritshmërisë dhe testeve të maturës, dukuri kjo e cila vazhdimisht e ka përcjell sektorin e arsimit edhe në Malishevë, e që askush deri me tani nuk është ndëshkuar, ndërsa viktimë e atyre manipulimeve janë vet nxënësit.
  • Ne gjithashtu kërkojmë që Drejtoria e Arsimit dhe Edukimit në Malishevë, gjatë këtij procesi t’i zbatojë në tërësi udhëzimet administrative dhe rregulloret e Ministrisë së Arsimit që përcaktojnë kriteret dhe procedurat bazë për përzgjedhjen e kandidatëve të suksesshëm duke mos e vazhduar praktikën e intervistimeve të kandidatëve pa teste dhe pyetësor logjiko-profesional dhe me qasje denigruese ndaj kandidatëve.
  • Drejtoria e arsimit të formojë një databazë e cila paraselekton dhe renditë kandidatët sipas pikëve dhe e cila duhet të bazohet sipas kritereve në udhëzimet administrative, studimet pasuniversitare-masteri, përvojën e punës, numrin i trajnimeve profesionale dhe notën mesatare në studime. Kjo databazë duhet të përmbajë listën e cila ndanë kandidatët që plotësojnë kriteret për intervistë nga ata që nuk i plotësojnë ato dhe e njëjta të bëhet publike në tabelën e shpalljeve në komunë, në shkollat përkatëse dhe sidomos në uebfaqen e komunës.
  • Intervistimi i kandidatëve për drejtor të shkollave të bëhet në panel të gjerë ku përfshihet përfaqësuesi i prindërve, kurse gjatë procesit të intervistimit të mundësohet prezenca e prindërve dhe komunitetit. Kandidatët për drejtorë të shkollave të shpalosin para panelit intervistues dhe të pranishmëve të tjerë (nxënës, prindër, qytetarë) planin e tyre zhvillimor të shkollës për të cilat konkurrojnë.

Lëvizja VETËVENDOSJE Qendra në Malishevë, beson se përfillja e këtyre rekomandimeve nga ana e drejtorisë së arsimit i shërben në radhë të parë shkëputjes përfundimtare të manipulimit me sektorin e arsimit, i shërben çkapjes së institucionit të dijes nga politika dhe nga grupet tjera të interesit. Mbi të gjitha i shërben kthimit të dinjitetit të mësimdhënësve të cilët pastaj do të jenë në shërbim të edukimit dhe të avancimit të dijes së nxënësve.

 

 

26 korrik 2016

Lëvizja VETËVENDOSJE – Qendra Malishevë.