Vetëvendosje, me më së shumti gra në listën e kandidatëve për deputetë

Përkundër përmirësimit të dukshëm në këto vitet e fundit, pozita e gruas në shoqërinë kosovare lë për të dëshiruar.

Në shumë sondazhe të ndryshme është raportuar për një diskriminim të gruas në shoqërinë tonë. Kjo si duket ka ngjarë edhe me listat e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Në një hulumtim të portalit vizioni.info del se partitë politike edhe në këto zgjedhje e kanë parë të arsyeshme të kandidojnë me numër simbolik të gjinisë femërore për ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Pjesëmarrja e gruas në listat e kandidatëve për deputetë nga partitë politike arrin  përafërsisht deri në 30 përqind, përderisa përqindja e burrave është afër 70. Kjo përqindje është nxjerr nga listat e kandidatëve për deputetë të tri grupacioneve më të mëdha politike PDK-AAK-NISMA, pastaj LDK-AKR-ALTERNATIVA dhe Lëvizja VETËVENDOSJE, të cilat besohet se do të zënë numrin më të madh të ulëseve në Kuvendin e Kosovës.

Sidoqoftë numrin më të madh të kandidateve për deputete ka Lëvizja Vetëvendosje, me 33 femra, pastaj vjen koalicioni PDK-AAK-NISMA me 32 kandidate femra dhe e treta në këtë renditje është koalicioni LDK-AKR-ALTERNATIVA,  koalicion ky i cili konsideron se numri prej 30 kandidateve është i mjaftueshëm për listën e tyre.