Vetëvendosje – Haradinajt: Gabove me demarkacion

Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim që të dërgojë në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Por një gjë e tillë është e papranueshme nga Lëvizja Vetëvendosje, duke pasur parasysh se të gjeturat e komisionit tregojnë se Kosova po humb territor.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një prononcim për Periskopin ka thënë se Haradinaj ka bërë një gabim të madh që e ka dërguar këtë projektligj në Kuvend dhe se për Vetëvendosjen kjo marrëveshje është e papranueshme.

‘’Vetëvendosje  ka pasur qëndrim të qartë sa i përket marrëveshjes me Malin e Zi, e cila është dëshmuar se është në dëm të vendit. Dhe sigurisht që  një ndër veprimet e para që është dashur të bëjë Haradinaj kur erdhi në krye të Qeverisë, është tërheqja e marrëveshjes ‘’, ka deklaruar Haxhiu për Periskopin.

Ajo thotë se para se të formonte komisionin, Haradinaj është dashur të tërhiqej nga kjo marrëveshje, por sipas saj, ai lëshoi pe për të ardhur në krye të detyrës.

‘’Ka bërë një gabim të madh që e ka dërguar në Kuvend. Ajo marrëvevshje është e dëmshme të cilën Hashim Thaçi e ka nënshkruar për t’ia falur territorin Malit të Zi’’, ka shtuar Haxhiu.

Deputetja e VV-së ka treguar se kryesia e partisë në kohën e duhur do të dalin me qëndrime konkrete për këtë marrëveshje, ndërkohë që do e kundërshtojnë fuqishëm atë.

‘’Ne presim ta shohm në detaje raportin. Kryeministri Haradinaj ka bërë një gabim të madh që  e ka dërguar projektligjin në Kuvend’’, përfundoi Haxhiu.

Sot kryetari i Komisionit për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, Shpejtim Bulliqi,  ka deklaruar se komisioni i tyre ka konstatuar në mënyrë unanime se vija kufitare në marrëveshjen për kufirin shtetëror në mes Kosovën dhe Malit të Zi në Vjenë 26 gusht 2015, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish-krahinës socialiste të Kosovës./Periskopi/