Vetëvendosje, e vetmja parti politike që gjen dyert e hapura te familja Jashari (Foto)

vetevendosjeNjë delegacion i Vetëvendosjes ka vizituar sot Prekazin me rastin e Epopesë së UÇK-së.

Delegacioni i prirë nga kryetari Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti e kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka qëndruar edhe në dhomën e jasharajve, ku është pritur nga përfaqësuesi i familjes, Murat Jashari, shkruan Periskopi.

Përfaqësues të Vetëvendosjes kanë gjetur dyert e hapura te familja Jashari vazhdimisht.

Dje në media qarkulloi e u komentua veprimi i familjes Jashari për të bojkotuar organizimet institucionale me rastin e 19-vjetorit të flijimit të familjes Jashari.

Po ashtu, familja Jashari nuk ka pritur në konak presidentin, kryeministrin e as kryetarin e Kuvendit.

Ka disa vite që familja Jashari është distancuar me njerëzit në pushtet, megjithatë këta të fundit vazhdojnë të thurin lavde mbi sakrificën e jasharajve.

Një video vetpromovuese e kryetarit të PDK-së Kadri Veseli qarkulloi dje në media e rrjete sociale, me rastin e Epopesë së UÇK-së, megjithatë familja Jashari ka mbyllur dyert edhe për të. /Periskopi/