Vetëvendosje do kërkojë interpelancë nga Ramush Haradinaj për vrasjen e Astrit Deharit

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur në një konferencë për media rreth rastit të vdekjes së aktivistit të tyre, Astrit Dehari.

Ai ka deklaruar se meqë Qeveria nuk ka dhënë përgjigje se mund të fillohet me hetimin ndërkombëtarë për vrasjen e Deharit, Lëvizja Vetëvendosje do të kërkojë interpelancë nga kryeministri Ramush Haradinaj.

“Sot janë bërë tre muaj nga ky takim dhe premtimi i tij nuk ka asnjë zhvillim nga premtimi i kryeministrit dhe qeverisë. Nga informatat që kemi marrë duket që nga Kosova i ka shkuar një letër këtij instituti me ç`rast shprehin gatishmërinë për ta nisur hetimin. Ata vijnë në Kosovë dhe hetojnë gjithë kronologjinë dhe kontekstin. 3 muaj janë tepër shumë dhe aq më tepër që nuk ka asnjë lëvizje nga kjo Qeveri. Nuk po e lejon nisjen e hetimit ndërkombëtarë. Vetëvendosje do të intensifikojë aktivitetet me trysni. Do të fillojmë me një interpelancë të kryeminsitrit lidhur me hetimin e rastit të Astrit Deharit”, ka thënë Kurti, raporton Indeksonline.

Kurti ka folur rreth ngjarjeve që rrodhën pas vdekjes së Deharit në qeli.

“Më 5 nëntor Astriti ngelet 4 minuta e gjysmë në qelinë A3. Për 4 minuta njeriu vdes 4 herë. Në rrethana të dyshimta vdes Naser Makolli i burgosur që kishte qenë në qelinë e njëjtë me Astiritin. Sipas deklaratës së tij të parë, ai ishte personi i parë që e gjeti Astritin në qeli të shtrirë përtokë. Ai ka thënë se u përpoq t`i jepte ndihmën e parë Astritin. Në riintervistim ai foli edhe për frikën që kishte nëse e merr policia në pyetje. Ka deklarata kontradiktore se kush ia ka hequr Astritit shishen nga goja dhe kush ia ka dhënë ndihmën e parë. Në burg të Lipjanit në 4 prill të vitit 2017 vet Makolli u gjet i vdekur. Nga të burgosurit aty është fikur dhe është venitur porsi qiriu. Duke humbur peshë ditë pas dite deri kur edhe vdes. Është habi si ka marrë medikamente për lukth dhe vdes nga pëlcitja e aortës”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Ai ka shtuar se Astrit Dehari ishte i burgosur pa aktakuzë, ishte i pafajshëm jo vetëm moralisht por edhe ligjërisht./Indeksonline/