Vetëvendojse tregon qëndrimin e saj për Demarkacionin, ka disa fjalë për kryeministrin Haradinaj

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit në hollin për media ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka qëndrimin e njëjtë sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, raporton Gazeta Blic.

Haxhiu ka thënë se ajo çka është e rëndëshime është që edhe nga ky raport që është nxjerrë nga komisioni i Bulliqt dëshmon se Kosova ka humbur territor.

“Më lejoni që edhe njëherë ta them qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi. Ajo çka është e rëndësishme është edhe njëherë nga njerëz kompetent është dëshmuar se Kosova ka humbë territor. Ne ende nuk kemi arritur që të shohim në detaje se çfarë përmban ky raport por me aq sa kemi dëgjuar nga ky komision në krye me zotërin Bulliqi është që Kosova ka humbur territor dhe për këtë duhet të njoftohet edhe Kuvendi”, ka deklaruar Haxhiu, raporton Gazeta Blic.

Sipas Haxhiut, Vetëvendosje nuk po i kupton veprimet e Haradinajt se si ai e ka proceduar demarkacionin në Kuvend.

Tutje Haxhiu ka thënë se Haradinaj në pozitën e kryeministrit po duket se ka ndryshuar qëndrimin e tij për demarkacionin.

“Ajo çfarë VV nuk e kupton është se pse zotëri Haradinaj e procedoj marrëveshjen aktuale që I falë mbi 2800 hektarë tokë Malit të Zi, përsa kohë I njëjti është dashur të tërhiqet nga kjo marrëveshje deri është zgjedhur kryeministër i republikës së Kosovës por si duket ka një ndryshim në qëndrim. Ne ende se kemi të qartë se çka po pretendon të bëjë më këtë çështje”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës dje ka miratuar raportin e komisionit për shënimin të kufirit me Malin e Zi, si dhe marrëveshjen e nënshkruar të vitit 2015, për shqyrtim të mëtutjeshëm në Kuvend, raporton Gazeta Blic.

Kryeministri Haradinaj tha se praktika e raportimit në Qeveri nuk është e zakonshme por kanë bërë një privilegj për komisionin.Komisioni i angazhuar në krye me Shpejtim Bulliqin nga kryeministri Haradinaj për rishikimin e shënjimit të kufirit me Malin e Zi, ka prezantuar të gjeturat e tij.