Veteranët e UÇK-së s’pajtohen me vendimin e Qeverisë për pensionet

uckMinistria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka bërë me dije se veteranët luftëtarë të UÇK-së nuk mund të jenë shfrytëzues të dy pensioneve në të njëjtën kohë.

Mirëpo me vendimin e saj nuk janë pajtuar përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmoreve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka thënë për “Epokën e re” ky vendim i Qeverisë nuk është në përputhje me qëndrimet dhe vendimet e përbashkëta që kanë pasur ekzekutivi dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

“Qeveria nuk është dashur të lëshojë asnjë komunikatë dhe as të marrë vendime pa u konsultuar me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së. Edhe ndryshimet e ligjit për vlerat e luftës janë bërë pa pëlqimin tonë. Ne kemi qenë këmbëngulës se, pavarësisht se veteranët a janë të punësuar apo gëzojnë ndonjë pension, e drejta e pensionit të veteranit t’i jepet për kontributin që ka dhënë për lirinë e vendit.

Kështu që, është i padrejtë një veprim i tillë i Qeverisë dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka deklaruar Jashari. Ai ka kërkuar nga Qeveria ta përmirësojë këtë vendim të gabuar. “Këto vendime Qeveria duhet t’i korrigjojë. Pse nuk respektohen edhe ligjet për qeveritarët dhe individët që janë në pushtet dhe punojnë në dy apo tri vende dhe marrin nga dy-tri paga”, ka deklaruar Jashari.