Udhëzimi Administrativ me të cilin Arsim Bajrami favorizoi kolegjet private! (Dokument)

Diplomat e atyre studentëve që kanë përfunduar sutdimet në kolegjet private tani janë të barabrata me diplomat e studentëve që i kanë kryer studimet në universitete publike. Kjo pasi që një gjë e tillë është rregulluar me Udhëzimin e ri Administrativ të nxjerrur nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

E me ndryshimin e Udhëzimit Administrativ, i cili po i favorizion kolegjet private nuk është pajtuar drejtori i Qendrës për Arsim në Kosovë, Dukagjin Popovci. Sipas tij, ky Udhëzim Administartiv ka qenë i panevojshëm, pasi që ai konsideron se trajtimi i barabartë i të gjithë studentëve është një e drejtë e garantuar me ligj.

“Në kushte normale, nuk do të kishte nevojë për një Udhëzim Administrativ të veçantë pasi trajtimi i barabartë para Ligjit është një e drejtë e garantuar, por, në praktikë, ka pasur paqartësi dhe eliminim arbitrar nga konkurset të kandidatëve me diploma nga institucionet private”, tha Popovci për “Gazeta Blic”

Por pavarësisht këtij Udhëzimi Administrativ i cili i bënë të barabrata diplomat e atyre studentëve që janë kualifikuar për mësimëdhënës nga institucionet private dhe atyre publike, Popovci thekson se mbetet në dorë të punëdhënësit përzgjedhja e kandidatëve më të mirë për punë.

“Mbetet e drejtë e punëdhënësit të përzgjedhë kandidatin më të mirë për një vend pune, por kjo duhet të bëhet në mënyrë të ligjshme, jo me eliminime arbitrare nga konkursi”, u shpreh ai.

Tutje, drejtori i QAK-së ka sqaruar se Ligji për Arsimin e Lartë i cili ka qenë në fuqi në periudhën 2002-2011 ua ka lejuar edhe institucioneve private përgatitjen e mësimdhënësve, të drejtë të cilën e ka garantuar vetëm për institucionet publike Ligji për Arsimin e lartë i cili është në fuqi nga viti 2011.

“Ligji për Arsimin e Lartë i cili është në fuqi prej vitit 2011 lejon që programet për përgatitjen e mësimdhënësve të zhvillohen vetëm nga institucionet publike të arsimit të lartë. Mirëpo, Ligji i i cili ka qenë në fuqi në periudhën 2002-2011 këtë të drejtë ua ka lejuar edhe institucioneve private dhe shumë prej atyre programeve kanë qenë të akredituara nga Agjencia e Akreditimit. Prandaj, ato programe edhe duhet të trajtohen si të barabarta me programet e ofruara nga institucionet publike dhe ky është kuptimi i këtij udhëzimi administrativ”, ka deklaruar ai.

Në këtë udhëzim Udhëzimin Administrativ sqarohet se qëllimi i tij është përcaktimi i kushteve dhe kritereve për Bartësit Privat të Arsimit të Lartë, plotësimi i të cilave shpie në sigurimin e vlefshmërisë së programeve studimore që kanë qënë të akredituara dhe licenduara para hyrjes në fuqi të Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës “Nr.4/L-037 data 9 shtator 2011, dhe trajtim të barabratë të diplomave, gradave dhe kualifikimeve të tyre, me programet e njëjta të ofurara nga Institucionet Publike, programet studimore të të cilave qojnë në kualifikim për mësimdhënes“, thuhet në këtë udhëzim.

Ndryshimi i Udhëzimit Administrativ është bërë publik në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë gjatë kohës sa kishte qenë ministër në detyrë i këtij dikasteri Arsim Bajrami.

Ky udhëzim administartiv ka hyrë në fuqi nga data 23 shkurt e këtij viti, shtatë ditë pas nënshkrimit të tij nga ish-ministri Bajrami./Gazeta Blic/