U zbulua busti i dëshmorit Ramadan Morina

busti_damanekSot në oborrin e shkollës “Ramadan Morina” në Damanek, u bë zbulimi i bustit të dëshmorit të kombit Ramadan Morina, emrin e të cilit me krenari e mban shkolla. Zbulimin e bustit e bënë  Muhamet Morina, i vëllai i dëshmorit, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, drejtori i arsimit në Malishevë, Blerim Thaçi, Hamdi Paçarizi, prind dëshmori dhe Habib Zogaj, veteran i luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë përurim, fillimisht drejtori i shkollës, Hysen Kastrati, e lexoi një biografi të shkurtër për dëshmorin Ramadan Morina, prej lindjes në vitin 1957, pastaj punën e tij si mësues i kësaj shkolle. Më pas drejtori Kastrati, tha se “Ramadani, në fillimin e luftës, ju bashkua UKÇ-së, ndërsa ra heroikisht në një betejë me 22 korrik 1998 në Rahovec”.

Ndërsa kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, duke folur me këtë rast, tha se “dëshmori Ramadan Morina, është i paharruar. Këto mundësi që i kemi, në këtë ditë ku sot jemi, janë meritë e dëshmorëve të kombit”. “Ju mësimdhënës, e keni për obligim veprën e dëshmorit Ramadan Morina, me punën tuaj, në mësimdhënien për brezat e rinj”, tha Begaj.