U përuruan dy objekte shkollore në Malishevë

Perurimi i shkolles

Sot, në kuadër të shënimeve, në prag të festave të 28 Nëntorit, Komuna e Malishevës, ka bërë përurimin e dy objekteve shkollore, të cilat janë të ndërtuara nga buxheti komunal dhe sipas standardeve evropiane të shkollave. Përurimin e këtyre objekteve shkollore, e kanë bërë, kryetari i Komunës së Malishevës, z.Ragip Begaj dhe ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Arsim Bajrami, të cilët edhe i kanë uruar qytetarët, me rastin e festave të 28 Nëntorit.

Në ora 13:00, është përuruar objekti i shkollës fillore dhe të mesme të ulët, “Salih Bytyçi”, në Shkozë., ndërsa në ora 14:00, është përuruar objekti i shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Imer Krasniqi” në Carrallukë.

Në fjalimet e rastit, kryetari i Komunës së Malishevës, z.Ragip Begaj, tha se “ndihet shumë i kënaqur, pasi pikërisht në prag të 28 Nëntorit, festës kombëtare shqiptare, po i përurojnë këto dy objekte shkollore dhe edukative. 28 Nëntori, është një datë e shenjtë për të gjithë shqiptarët, pasi në këtë datë, lidhen ngjarjet më të mëdha të kombit, duke filluar me vitin 1443, kur Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë, për të vazhduar me vitin 1912, kur Ismail Qemajli ngriti flamurin në Vlorë dhe u shpall Pavarësia e shtetit Shqiptar, e për të ardhur tek viti 1955, kur lindi Adem Jashari, i cili formoi UÇK-në, e cila në vitin 1997, për herë të parë doli publikisht në skenë. Populli shqiptar, me dekada të tëra ka sakrifikuar, për të ardhur në ditët e sotme, që ne të kemi mundësi të ndërtojmë shkolla dhe të festojmë lirshëm. Prandaj, ju mësues, e keni për obligim që këto sakrifica, ti arsyetoni me punën e juaj në edukimin e brezave të rinj, ndërsa ju nxënës, i gëzofshi shkollat e reja”, ka thënë mes tjerash kryetari Begaj.

Ndërsa ministri i MASHT-it, z.Arsim Bajrami, në fjalimet e tij, përveç urimeve për festën e 28 Nëntorit, dha edhe mesazhe për mësimdhënësit. “Ne duhet që amanetin e dëshmorëve ta qojmë në vend, prandaj ju ftoj që të punojmë së bashku në rritjen e cilësisë në mësim, dhe fëmijët ti edukojmë në frymën e atdhedashurisë”, tha ministri Bajrami. Ai gjithashtu i uroi edhe për festën e 28 Nëntorit, edhe për objektet e reja shkollore, si në Shkozë, ashtu edhe në Carrallukë.

Perurimi i shkolles ne shkoze

Shirita e përurimit të shkollave i prenë kryetari Begaj, ministri Bajrami, si dhe në Shkozë edhe djali i dëshmorit Sali Bytyçi dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, znj.Shukrije Bytyçi, ndërsa në Carrallukë, nëna e dëshmorit Imer Krasniqi, nënë Feridja, deputeti i Kuvendit të Kosovës, z.Enver Hoti, si dhe përgjegjësit e shkollave në fjalë.