U mbajt mbledhje komemorative për ish deputetin Halit Kryeziu

mbledhja komemorativeNën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, z.Ragip Begaj, sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Malishevës, u mbajt një mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së ish deputetit të Kuvendit të Kosovës, Halit Kryeziu.

Në këtë mbledhje morën pjesë, strukturat komunale të Malishevës, ish deputet të Kuvendit të Kosovës, në vitin 1990, të prirë nga ish nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Iliaz Ramajli, pastaj deputetët e Kuvendit të Kosovës, z.Enver Hoti, znj.Albulena Haxhiu dhe z.Salih Morina, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevës, familjarë dhe qytetarët të shumtë.

Në fjalën e tij, kryetari Begaj, e vlerësoi lartë punë dhe veprimtarinë e Halit Kryeziut. “Ishte njeri i punës, i fjalës dhe një njeri i cili ka dhënë kontribut të madh për Malishevën dhe për Kosovën. Ishte njëri nga ata që shpallën Deklaratën e 2 Korrikut dhe të Kushtetutës së Kaçanikut”, tha mes tjerash kryetari Begaj, duke evokuar edhe bashkëpunimin që ka pasur me Halit Kryeziun, të cilin e vlerëson si shokun më të mirë.

Ndërsa z.Iliaz Ramajli, në emër të ish deputetëve të Kuvendit të Kosovës, gjatë asaj periudhe, evokoi kujtime nga aktiviteti i përbashkët. “Ishte njëri nga delegatët që mori pjesë aktive në shpalljen e deklaratës kushtetuese me 2 korrik dhe të miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut me 7 shtator”. “Dha kontribut të jashtëzakonshëm në nxjerrjen e vendimeve dhe akteve që quan në shpalljen e Republikës së Kosovës. Ishte i guximshëm, i mirë, i qetë, i matur dhe shumë i vendosur”, tha ish nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Iliaz Ramajli.

Ndërsa ish kryetari i Komunës së Malishevës, në atë kohë, z.Daut Krasniqi, foli për bashkëpunimin me Halitin. “Ishte një ekonomist i zoti dhe një njeri me vizion për zhvillimin e Malishevës, ndërsa në kohën e ngjarjeve të rënda, ishte ai i cili i dënoi publikisht vrasjet e regjimit serb në Malishevë”, tha Krasniqi dhe citoi fjalët e Halit Kryeziut në Kuvendin e Kosovës: E dënoj sulmin brutal të vrasjeve dhe maltretimet e qytetarëve të Malishevës……Kosova është e shqiptarëve….” , kishte thënë mes tjerash Halit Kryeziu në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës. Sipas ish kryetarit Krasniqi, Halit Kryeziu ishte edhe njëri prej organizatorëve, të cilët organizuan shkuarjen e deputetëve në Kaçanik, për miratimin e Kushtetutës së 7 shtatorit.

Në emër të familjes, falënderoi z.Shefqet Kryeziu. “Dhimbja jonë është e madhe, por ju na lehtësoni këtë dhimbje”. Kryeziu, falënderoi edhe organizatorin për këtë mbledhje komemorative.

Në vazhdim fjalimi i Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, të mbajtur në këtë mbledhje komemorative:

Jemi tubuar sot këtu, për ti dhënë lamtumirën e fundit njeriut i cili ka merita të mëdha për Komunën e Malishevës dhe për vendin në përgjithësi.

Lajmi për humbjen e jetës së Halit Kryeziut, ish deputet i Kuvendit të Kosovës, na pikëlloi të gjithëve, pasi kjo është një humbje e madhe për Malishevën.

Haliti ishte një intelektual i kohës. Kishte kryer detyra të rëndësishme në Kuvendin Komunal të Klinës. Udhëheqës i ndërmarrjeve të asaj kohe, menaxher i suksesshëm dhe një politikan i dëshmuar.

Në vitin 1986, qytetarëve të Malishevës, ju erdhi shpresa se do të bashkoheshin në komunën e tyre, ashtu siç ishin edhe shumë vite më parë. Kuadrot nga  komunat fqinje ju bashkuan qytetarëve të Malishevës, për forcimin e komunës së tyre. Njëri prej kuadrove që ishte i dobishëm për Malishevën dhe vendin në përgjithësi, ishte edhe Halit Kryeziu.

Haliti ju kthye Malishevës, për ta udhëhequr sektorin e investimeve në ndërmarrjen “Mirusha”, ishte i përkushtuar për zhvillimin e asaj ndërmarrje. E donin dhe e respektonin të gjithë 750 punëtorët e ndërmarrjes, por edhe Haliti i respektonte ata.

U përball me të gjitha sfidat e pushtuesit të kohës, por ishte i përkushtuar për mbrojtjen e interesave të ndërmarrjes ku punonte, të qytetarëve të Malishevës dhe të kombit në përgjithësi. Duke e pasur një respekt të ndërsjellë me banorët, u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës. Me punën e tij, ai kishte krijuar një respekt tek qytetarët, prandaj edhe qytetarët, i dhanë besimin për ti përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. 

Në jetën time pata një fat të kem një bashkëpunëtor me të cilin punuam në një zyre, për tri vite, për të vazhduar bashkë për tri dekada e gjysmë, e ai ishte Halit Kryeziu. Haliti, ishte një njeri shumë i dashur, shumë i përkushtuar dhe një ekspert i mirë. Njeri besnik dhe shumë i vendosur.

Haliti, sikurse shumë malishevas të tjerë, ka merita të mëdha, duke lënë gjurmë të pashlyera në historinë tonë. Halit Kryeziu, është njëri prej atyre deputetëve të cilët miratuan deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës, me 2 Korrik 1990. Po ashtu Haliti ishte edhe pjesë e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me 7 Shtator 1990 në Kaçanik.

Për këtë kontribut, Halit Kryeziu, është dekoruar nga Presidenti i vendit, me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”, dekorata më e lartë që jepet nga presidenti për kontributin e dhënë për Pavarësinë e vendit.

Presioni i madh i regjimit të atëhershëm për ta fshehur “masakrën e Malishevës”, përfaqësuesit e Malishevës, i bëri edhe më këmbëngulës për ti zbardhur krimet e regjimit në Malishevë dhe në Kosovë. Haliti publikisht në Kuvendin e Kosovës, i ka paraqitur të gjitha këto, në mbrojtjen e qytetarëve të vendit dhe kërkoi nga organet qendrore zbardhjen e të gjitha rasteve të vrasjes së njerëzve të pafajshëm, në Malishevë dhe në vende tjera të Kosovës.

 

Të nderuar të pranishëm ……………..

 

Ne qytetarët e Malishevës, atëherë dhe sot, mburremi me përfaqësuesit tanë në Kuvendin e Kosovës, të cilët edhe pse ishin të kërcënuar  me jetë, denjësisht mbrojtën besimin e marrë nga qytetarët.

Malisheva sot po e përcjell deputetin e fundit të asaj legjislature, e cila legjislaturë krijoj bindjen te njerëzit që regjimet mund të kundërshtohen, vullneti i qytetarëve duhet fuqishëm të mbrohet. Kjo legjislaturë, e ndërroi përfundimisht fatin e të gjithë popullit të Kosovës, me vendimin për shpalljen e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, e cila i parapriu nxjerrjes së Kushtetutës të Republikës së Kosovës.

Takimin e fundit me Halitin, e patëm me 30 janar të këtij viti, kur Haliti ishte këtu bashkë me ne, në këtë sallë të kuvendit, në përkujtimin e 25 vjetorit të “masakrës së Malishevës”, dhe sot po ndahemi përfundimisht, për të mbetur në kujtesën e qytetarëve të Malishevës, si një personalitet i paharruar, për kontributin e dhënë për Malishevën dhe vendin.

Nuk mund ta fsheh, se Halitin e kam pasur shokun dhe bashkëpunëtorin më të mirë të jetës sime.

Jeta dhe vepra e Halit Kryeziut, do të mbetet në historinë e vendit, pasi ka lënë gjurmë të pashlyera.

E nderuara familje,

Të nderuar bashkëpunëtor të Halitit,

Të jeni krenar për familjarin që patët, për bashkëpunëtorin që patëm. Veprimtaria e tij, të jetë mësim për brezat që vijnë, në mbrojtjen e interesave të popullit dhe çështjes kombëtare.

Çoftë i paharruar kujtimi për të.

I çoftë i lehtë dheu i Kosovës.

Lavdi jetës dhe veprës së Halit Kryeziut.