U mbajt dëgjimi i parë publik për projekt buxhetin 2016-2018

buxhetiSipas drejtorit për buxhet dhe financa, Vesel Krasniqi, buxheti për vitin 2016 për Komunën e Malishevës, bazuar në qarkoren e dërguar nga Ministria e Financave, do të jetë 12 337 508 euro.

Duke u bazuar në ligjin për financa, Drejtoria për Buxhet dhe Financa, sot në Malishevë, ka organizuar dëgjimin e parë publik për projekt buxhetin 2016-2018, me theks të veçantë buxhetin e vitit 2016, duke u bazuar në qarkoren e dytë buxhetore.

Sipas drejtorit për buxhet dhe financa, Vesel Krasniqi, buxheti për vitin 2016 për Komunën e Malishevës, bazuar në qarkoren e dërguar nga Ministria e Financave, do të jetë 12 337 508 euro.

Drejtori Krasniqi, e ka prezantuar buxhetin para të pranishmëve në këtë dëgjim publik, ku i ka sqaruar të gjitha kategoritë buxhetore, në vija të trasha, ndërsa sipas tij, buxheti më i detajuar do të prezantohet në dëgjimin e dytë publik, ku edhe do të futen edhe projektet konkrete, të cilat do të merren, nga takimet në vazhdim, që pritet të mbahen me përfaqësuesit e fshatrave, pastaj OJQ-ve, subjekteve politike dhe grupeve tjera të interesit.

Duke u bazuar në këtë qarkore buxhetore, sipas drejtorit Krasniqi, për vitin 2016, janë paraparë 3 853 849 euro, për investime kapitale.

Në këtë dëgjim të parë, drejtori Krasniqi, ka paraqitur disa shqetësime lidhur me buxhetin, ku sipas tij do të ketë disa shkurtime buxhetore dhe më e dhimbshmja, pritet të jetë tek të punësuarit, pasi sipas kufijve buxhetor, krahasuar me gjendjen aktuale, tek kategoria e pagave dhe mëditjeve, do të jenë rreth 100 mijë euro më pak dhe rrjedhimisht, si pasojë e kësaj mund të ketë edhe shuarje të vendeve të punës.

Kurse shqetësim tjetër, po ashtu i paraqitur nga drejtori, është caktimi i planifikimit për të hyrat vetanake, ku sipas tij, ministria i ka caktuar Komunës së Malishevës, rreth 300 mijë euro më shumë, se mundësitë që ka Komuna e Malishevës, për të realizuar të hyra vetanake.

Pas prezantimit të projekt buxhetit për vitet 2016-2018, drejtori Krasniqi, është përgjigjur në pyetjet e të pranishmëve, lidhur me çështjet e ngritura.