U mbajt dëgjimi i dytë publik për buxhetin e Komunës

diskutimi_buxhetiOrganizuar nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa, në Komunën e Malishevës, sot është mbajtur dëgjimi i dytë publik, për qarkoren e dytë buxhetore, për projekt buxhetin e viteve 2016-2018.

Pas prezantimit të buxhetit, të pranishmit, kanë dhënë edhe propozimet e tyre lidhur me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, në raport me investimet kapitale.

Prezantimin e projekt buxhetit e ka bërë drejtori i drejtorisë , Vesel Krasniqi, sipas të cilit, buxheti i përgjithshëm i paraparë për Komunën e Malishevës, është 12 milion e 337 mijë e 508 euro, ndërsa për investime kapitale, janë të parapara 3 milion e 853 mijë euro.

“Ka disa shkurtime buxhetore dhe thënë në gjuhën popullore, Ministria e Financave, na ka prerë këmishën, pa na pyetur, pasi vet i ka caktuar kufijtë buxhetor, pa i marrë parasysh propozimet tona dhe më e keqja është se FMN-ja, e ka kufizuar buxhetin për paga dhe meditje, kurse Ministria e Financave, këtë shkurtim buxhetor e ka bërë në komuna dhe jo nëpër ministri dhe si rezultat, nëse kjo nuk rregullohet në qarkoren e tretë buxhetor, rrezikohen të humben 15 vende pune në Malishevë, sikur edhe nëpër komunat tjera të vendit”, tha drejtori Krasniqi.

Përndryshe, projekt buxheti është prezantuar para të pranishmëve, ku drejtori Krasniqi, përveç shpjegimit të vijave buxhetore, buxhetin e ka paraqitur edhe në mënyrë të detajizuar, kurse ka kërkuar përfaqësuesit e fshatrave, që kërkesat e tyre, në raport me investimet, ti bëjnë me kohë, në mënyrë që projektet të planifikohen, duke u bazuar në kërkesat e fshatrave dhe të OJQ-ve.

“Logjika e qeverisjes sonë është kjo, që investimet të orientohen duke u bazuar në kërkesat e komunitetit, prandaj edhe realizimi i buxhetit, edhe realizimi i investimeve, sikur edhe miratimi i buxhetit, është më i lehtë dhe më i sigurt, pasi kjo bëhet në bashkëpunim me qytetarin”, tha drejtori Krasniqi.

Të pranishmit, i kanë dhënë disa mendime të tyre dhe propozime, lidhur me orientimin e buxhetit, në veçanti, të investimeve, ku kërkesë kryesore edhe këtë vit, është vazhdimi i investimeve në infrastrukturën në përgjithësi.