U lanë anash nga institucionet e ato po vdesin

Viktimat e dhunës seksuale ende mbesin në pritje të marrjes së pensionit edhe kaq vite pas përfundimit të luftës. Megjithëse ligji për të rënët, invalidët, luftëtarët e UÇK-së dhe viktimat e dhunës seksuale të luftës, u miratua në Kuvendin e Kosovës, tri vite më parë, ende nuk ka filluar të zbatohet, sa i përket viktimave të dhunës seksuale.

Ligji i cili për herë të parë pas kaq vitesh, ka njohur statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë, është dashur të përcillet edhe me hapin konkret për krijimin e Komisionit Qeveritar, që do të përkujdesej për këtë kategori, por ky komision ende nuk është funksionalizuar dhe kjo ka ngjallur reagime të shoqatave dhe shoqërisë civile.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti ka thënë për KosovaPress se ka ngecje në këtë proces dhe se procesi është zvarritur, siç u është thënë për shkak të statistikave të ndryshme.

Ajo thotë se megjithëse flitet për mbi 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës, numri i atyre që do t’i qasen këtij komisioni, është dukshëm më i vogël dhe se nuk do të krijojë probleme buxhetore.

Rushiti thotë se institucionet kanë lënë anash këtë kategori kaq të ndjeshme dhe se buxheti mbetet pengesë. Ajo thotë se vonimi i mëtutjeshëm i këtij procesi do t’i frustrojë dhe tensionojë gratë viktima të dhunës seksuale.

Por ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi pohon se tashmë janë në hapat final për funksionalizimin e komisionit. Ndërsa, thotë se buxheti nuk është pengesë por janë disa çështje procedurale, nëpër të cilat duhet të kalojnë.

Ndryshe, ligji për vlerat e luftës që i trajton dhe kategoritë tjera të luftës, është amandamentuar në mars të vitit 2014. /KosovaPress/