Tri pozitat me pagat më të lartë në Kosovë nuk do preken me projektligjin e ri

qeveriaPaga prej 2 mijë e 800 euro, të cilën deri tani e merrte presidenti i vendit Hashim Thaçit, pritet të zvogëlohet rreth 25 %.

E, zvogëlim të pagave pritet të kenë edhe kryetarët e komunave , drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i cili aktualisht ka më shumë se 4 mijë euro pagë mujore dhe anëtarët e bordeve të ndryshme.

Krejt kjo pritet të ndodhë me projektligjin e ri për pagat të miratuar nga qeveria e Kosovës, i cili parasheh nivelizimin e pagave në sektorin publik.

Rritje të pagave dhe të mëditjeve do të ketë kryeministri Isa Mustafa, së bashku ministrat e tij dhe deputetët e Kuvendit.

Por, të paprekshme do të mbesin tri top-pagat më të larta në Kosovë, ajo e drejtorit të Trustit, Adrian Zallit, i cli merr një pagë prej 6 mijë euro në muaj, paga e drejtorit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, që merr pagë 5 mijë e 182 euro në muaj, si dhe paga e guvernatorit të BQK-së, Bedri Hamza, i cili merr 4 mijë e 328 euro në muaj, ose 52 mijë euro në vit.

Hartuesi i këtij projektligji ministri Yagcilar, po insiston se me këtë ligj do të krijohet një rregull, disiplinë, por edhe një balancë, sa u përket pagesave në sektorin publik.

Sa i përket rritjes së numrit të të punësuarve dhe politizimin e administratës publike, Yagcilar ka thënë se Komisioni Evropian kërkon që Kosova të krijojë një administratë publike efikase, jo të politizuar, i cili është me përgatitje të duhur me një llogaridhënie dhe më transparente.