Tre shtetshkatërruesit

Iniciativa e tre ish-eprorëve të lartë të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt, tashmë drejtues të tri institucioneve kryesore të vendit, për ta proceduar shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale ka dështuar në dy tentativat e Kryesisë së Kuvendit në mungesë të kuorumit.

Kundër kësaj iniciative kanë dalë haptas ambasadorët amerikan, gjerman, britanik dhe të Bashkimit Evropian. Sipas këtyre të fundit, shteti i  Kosovës po e rrezikon të ardhmen për shkak të interesave personale të liderëve të saj.

Pavarësisht se 82 deputetë kishin votuar për themelimin e Gjykatës Speciale, gjatë ditës së djeshme 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës kishin mbledhur nënshkrimet për të kërkuar seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Specialen.

Ashtu siç kishte bërë presion te deputetët për ta votuar Projektligjin për Specialen, PDK-ja u bë sërish iniciatore dje për ta kundërshtuar atë.

Me këtë rast (pas mbledhjes së nënshkrimeve) Kryesia e Kuvendit u mblodh dy herë radhazi për ta caktuar këtë seancë, e cila kërkohej të mbahej gjatë të premtes, megjithatë dështoi në mungesë të kuorumit, shkruan tutje “Zëri”.