Trashëgimia kulturore e trevës së Malishevës

11949490_162432267424294_3218346706466595212_n

Shkrim nga Mehdi Krasniqi

(qëndrime personale dhe të padetyrueshme as për lexuesit)

Duke u nisur nga fakti se trashëgimia kulturore e trevës së Malishevës është e pasur ( karshi kësaj edhe trashëgimia natyrore ), ne, duhet të mendojmë me arsye, për ruajtjen e tyre, renovimin, gjithashtu, duhet të ndërhyjmë me marrjen nën mbrojtje, sigurisht që ky duhet të jetë një prej akteve tona të qëllimshme. Gjithashtu,”Listës për Mbrojtje të Përkohshme” duhet t’i shtohen edhe objekte të tjera, të cilat kanë nevojë për mbrojtje apo përkujdesje.
Objektet fizike me të cilat disponon treva jonë, paraqesin një mënyrë të të jetuarit të paraardhësve tanë. Kullat si objekte të prekshme, siç është ajo në fshatin Banjë dhe ajo në fshatin Llapçevë, janë renovuar nga Komuna e Malishevës . Ministria ka renovuar Urën e Arabaxhive në Bubël. Këto objekte tashmë janë shpëtuar, ama përkujdesja ndaj tyre nuk duhet të mungojë.

Pa emocione, duhet të pranojmë disa fakte të hidhura ( jo në aspektin lokal ):
1. Trashëgimia shpirtërore, na u tjetërsua në masë të madhe, sepse ne nuk patem guximin të argumentojmë të vërtetën. Prandaj, i dhamë Ahtisarit të drejtën të rishkruaj historinë tonë të trashëgimisë kulturore e shpirtërore, në këmbim të një statusi “ Pavarësi e mbikëqyrur “. Ai madje edhe na përcaktoi kufij dhe bëri territore për kisha, duke i quajtur gati të gjitha “ kisha serbe”, duke aluduar se shumica e popullatës në Kosovë, janë shqiptarë mysliman. Dhe ai, sikur harron se serbët kanë ardhur në shekullin V dhe edhe sipas disa të dhënave në shekullin VII. Në këtë kohë, kishte kisha të ndërtuara në Kosovë. Pra kishat si objekte, janë para serbëve! Nevoja politike dhe symbyllësia e politikanëve tanë, ishte shndërruar në heshtje miratuese, andaj, tek më vonë u pa gabimi banal, që do të jetë i kushtueshëm edhe në aspektin historik por edhe politik.
2. Disa nga xhamitë, shumë sosh, po dalin si monumente të besimit islam, por të ndërtuara nga turqit, edhe kjo është shqetësuese, sepse ato tashmë janë në listën e trashëgimisë, të evidentuara si tempuj islam, në asnjë rrethanë nuk figurojnë si tempuj të shqiptarëve. Njëjtë edhe me disa tyrbe e hamame.( anipse këto tregojnë mënyrën e pushtimit të popullit tonë ). Kujtoj se më shumë në këto raste kemi të bëjmë me keqkuptime dhe interpretime të gabueshme. Këto janë xhami të ndërtuara në tokën shqiptare në kohën e sundimit turk, asgjë më shumë.
3. ( në disa komuna ) territori i kishave është rrethuar me tela xhemborë, sepse imazhi i tyre ka qëllim apostrofik duke e paraqitur popullin tonë, si shkatërrues të besimeve të popujve tjerë, e në fakt këto janë kisha shqiptare, dhe populli nuk e shkaktërron besimin e vet.
Këto na janë marrë, nuk janë në listën e trashëgimisë sonë. Ne kemi kisha të reja, xhami të reja, tempuj të rinj, por pikërisht ato që do të duhej të hynin në listën e trashëgimisë kulturore e shpirtërore, më nuk janë në anën tonë. Pse? Sepse ne ende kemi një luftë në mes veti, duke e injoruar vetveten përballë besimeve tona. E kjo është bërë vepër shfrytëzimi nga armiqtë tanë.
4. Kullat e vjetra, janë afër shkatërrimit, shteti ka pak fuqi financiare, sepse ka nevoja edhe tjera, të jemi korrekt, mirëpo, përkujdesja njerëzore mungon. Shteti ynë në këtë fazë, do të duhej të vënte masën “ objekti nën mbrojtjen e shtetit “, atëherë njeriu do të fillojë të mendojë se diçka ka vlerë në objektin e selektuar.
5. Ne, kemi humbur mjaftë nga ato që i përmendëm më lart, prandaj, pos disa kullave, disa mullinjve, kalave, tumave, veshjve të pakta që po gjinden aty-këtu, dhe të tjera, tani duhet të fillojmë me një fazë të gjurmimeve arkeologjike në territore të ndryshme të Kosovës. Padyshim, do të ishte ky hapi më i guximshëm që do ta dëshmonte lashtësinë e popullit tonë dhe paraardhësve tanë.
6. Shumë vendbanime janë shkatërruar gjatë periudhave të ndryshme, gjatë luftës së fundit në veçanti, prandaj, kjo ka varfëruar në masë kulturën e trashëgimisë sonë.
Flasim tash në një kontest lokal. Brenda trevës së Malishevës, tuma ilire, është dëshmi e gjallë se Malisheva ka qenë vendbanim i hershëm ilir, sikurse edhe fshatrat tjera të këtij territori sidomos ato që janë shtrirë rreth lumit Mirusha. Kjo gjë argumentohet me gjetjet në terren, që nuk janë të pakta.

Humbja e një kulle në fshatin Carrallukë

Duke qenë pjesë e jetës në fshatin Carrallukë, kam njohuri të bollshme për historinë e këtij fshati…
Një kullë e ndërtuar në vitin 1875, 3 vjet para Lidhjes së Prizrenit, kullë kjo e Avdyl Balës, është rrënuar pak në kohën e luftës së fundit, ndërsa u përplas për tokë pas luftës dhe sot nuk është më. Ekzistojnë vetem disa foto. Kjo kullë ishte vertetë e ndërtuar në mënyrë karaktersitike, dhe përbënte vlerë të madhe për trashëgiminë kulturore. Madje, ishte pranë rrugës së asfaltuar, gjë që, do të mund të vizitohej nga turistë. Kishte një sipërfaqe oborri të mjaftueshëm, një pamje të mahnitshme dhe ishte një mbretëreshë e fshatit.

Objekte të rëndësihme të trashëgimisë

Ura e Arabaxhive në Bubël, e ndërtuar në kohën e pushtimit turk, e meremetuar në shek. XVIII ( 1758 ) ( Strategjia e ZHEL-it 2007-2010 ), është tashmë në përdorim të plotë. Kjo urë, është joshëse të vizitohet nga turistë, sepse paraqet vlerë civilizimi, paraqet vlerë kulture, madje është sibol i lidhjeve midis njerëzve. Rëndësia e saj është e madhe, sepse ka shërbyer në ato vite të ndërtimit për kalim më të shkurtër për drejt territoreve që bëhej tregu ekonomik, që lidheshin regjione të shumta të Kosovës me regjionin e Dukagjinit e deri në Adriatik e përtej.

Tuma ilire

Tuma ilire që gjindet në Malishevë, ajo në Mirushë, përbëjnë dëshmi që ilirët kanë qenë banorët e parë të kësaj treve. Kjo dëshmohet edhe nga varrezat e moçme në Banjë, me të cilat janë marrë arkeologë nga Kosova dhe nga Shqipëria, e ku janë hasë gjetje karakteristike, të cilat sot gjinden ne Muzen e Kosovës.
Tumat ilire, nuk janë në gjendje të mirë, sepse ka ndërtime pa leje rreth tyre, si ndërtime të dhunshme, e të cilat do të duhej të eleminoheshin. Këto tuma, paraqesin kulturë ilire, me të cilën dëshmojmë trashëgiminë tonë si pasardhës të tyre. Kështu, në hyrje të oborrit të komunës së Malishevës, është i vëndosur një guri mbivarror, që dëshmon periudhë të hershme të ekzistimit të mënyrës së veçantë të ceremonive ilire.
Kjo tumë sikurse edhe të tjerat, kujtoj se nuk do të duhej të hapeshin. Do të duhej të skanoheshin me mjetet e sofistikuara që tashmë ekzistojnë, e që bëjnë të mundur të shihet se çka brenda saktësisht.

Kullat e vjetra

Panorci, Llapçeva dhe Banja, kanë kulla të moçme. Këto kulla, kanë rëndësi të veçantë, për faktin se tregojnë gjurmë të jetës në kohë të ndryshme. Marrim parasysh elemente e bashkëjetesës në familje të gjërë, atëherë, këto kulla, kanë qenë shembull i mikëpritjes. Kulla në Banjë (kulla e hazrollëve dhe ajo në Llapçevë ) janë renovuar ng komuna e Malishevës, dhe këto tani janë në gjendje të mirë. Tek te dyjat, çojnë rrugët, prandaj, infrastruktura rrugore është e përshtatshme për turizëm.
Në këto kulla, ende vërehen gjurmët e jetesës që e kanë bërë njerëzit e asaj kohe.

Folklori

Treva e Malishevës, njihet si emblema e folklorit, sepse prej këtu, kanë dalë emra të njohur të këtij zhanri, përmendim Salih e Feriz Krasniqin, Të bijtë e Sefë Mleçanit, Xhelir Islamin, Nexhmie Pagarushën e shumë të tjerë, të cilën e kanë ngritur lartë karakterin formues të trevës sonë. Me këtë fushë, janë marrë tashmë disa autorë, të cilët kanë dhënë referenca profesionale, madje janë botuar edhe libra të ndryshëm, mirëpo, mbetet nevojë e jashtëzakonshme mënyrë e ruajtjes së folklorit. Ekzistojnë dhjetra videoinçizime, qindra e mijëra këngë të shkruara, të cilat janë kënduar nga rapsodë të kësaj treve. Folklori është ruajtur me xhelozi edhe nga banorët e kësaj ane.
Karakteristikë tjetër janë instrumente të vjetra muzikore (fyelli, sharkia, çifteli,daullet etj).
Veshjet

Veshjet të cilat kanë qenë dhe ende janë pjesërisht dhe sot: tirqit, qeleshet dhe plisi i bardhë, xhamadanët, tek burrat, ndërsa : fustanët me kanace, shamija e bardhë etj. tek femrat. Përbëjnë traditë interesante të dukjes. Mirëpo, këto tashmë kanë filluar të zëvendësohen me veshje të reja.

Lista e monumenteve nën përkujdesje

Në vitin 2007, në bazë tëtë dhënave të disa dokumenteve, ka aktvendime që kanë vënën nën përkujdesje monumente dhe objekte të kulturës:
1. Tuma ilire në Malishevë,
2. Kalaja ilire në Bardh,
3. Ura e Arabaxhive në Bubël,
4. Kulla në Labi,
5. Kulla në Banjë (2),
6. Kisha e katolikëve në Karvasari,
7. Xhamitë: Marali, Bellanicë, Shkozë, Astrazup, Vërmicë, Pagarushë,Banjë,
8. Mulli në Banjë (2), Mirushë, Lladroc, Pagarushë
Në po këtë vit, po ashtu bazuar në dokumente zyrtare të komunë së Malishevës, kanë marrë status të mbrojtjes:
Vendbanimi i shpallur
1
Kishë varrore e Shën Nikollës,
shek.XVI, nr.V.E.K.02-238/58
Kijevë 1958 Monumente kulti ortodokse dhe katolike
2
Kisha e Shën Nikollës,
shek.XVI,nr.V.E.K.02-250/58
Mleçan 1958 Varreza
3
Tumë në qendrën e qytetit, shek.VIII-
VI p.e.s, nr.V.E.K.0301-800/88
Malishevë 1988

Për të pasur efikasitet rreth mbrojtjes dhe përkujdesjes, është e udhës që të konsultohen edhe ligjet që kanë të bëjnë me trashgiminë, me planifikimin hapësinor dhe ndonjë udhëzim administrativ në fuqi.
Shkattërrimi i pronës së trashëgimisë kulturore, nuk është modesti e kohës të ndodh, sepse shkatërrimi i identitetit do jetë përmasë e rrezikshme.
Do të duhej të hapej një zyrë e veçantë për trashëgiminië kulturore, nga e cila do të bëheshin projekte adekuate, projekte nga nevojat në terren, pastaj do të duhej të kishim inspektime të shpeshta në zonat e shpallura nën mbrojtje dhe përkujdesje, sepse ende mungon vetëdijësimi i faktorit njeri.

Gjetje në terren

“Hyjnesha Nemesis” në Banjë, e gjetur në vitin që e lamë pas, është një ndër gjetjet më të reja, pas gjetjeve që u bënë gjatë ekspeditës arkeologjike, ku u hapen varrezat ilire në Banjë. Kjo tanimë është vlerë kombëtare.
Në fshatin Bellanicë, janë gjetur para disa vjetësh dy pitosë të mëdhenj të rëndësishëm jashtëzakonisht. Në të njëjtin vend, janë gjetur edhe disa vegla tjera si lloj enësh, në të cilat janë të gdhendura figura interesante, me pamje nga qyteti i vjetër i Prizrenit, njerëz me veshje kombëtare, tradicionale- tipike shqiptare, Gjatë hapjes së varrezës së vjetër ilire në fshatin Banjë, janë gjetur mjaftë vegla të imta: filketa, unaza etj, përveç eshtrave të njerëzve. Këto gjinden në muzeun e Kosoves. Pastaj, në lokacione tjera, janë gjetur edhe gjëra tjera, mirëpo, ende nuk po arrijmë të bëjmë hulumtime të nivelit profesional, përshkak të kostos së kushtueshme financiare.

Rezyme

Territori i komunës së Malishevës, pos trashëgimisë kulturore, është shumë i pasur edhe me trashëgiminë natyrore, që është shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të turizmit. Mirëpo, trashëgimia natyrore, është më pak e ndëmtuar, prandaj, me pak angazhim arrihet të mbrohet e tëra.
Gjetja e shpellave të reja, përveç atyre që ishin të gjetura më parë, përbën një fazë tjetër të pasurimit të trashëgimisë natyrore. Është gjetur një shpellë në fshatin Temeçinë, e cila, është mjaftë atraktive, andaj në një kohë të përshatshme aty duhet të ndërhyhet për ta bërë funksionale.
Pastaj, uji termal që buron në Banjë, është mjaft me rëndësi, sepse përbën një prej pasurive më të rëndësishme të Komunës sonë.
E përmbyllim këtë shkrim përmbledhës të natyrës së shkurtër të shkrimit të pikëpmajeve për trashëgiminë kulture e natyrore, duke konstatuar se njeriu është pjesë e trashëgimisë, andaj roli i tij duhet të jetë pjesë e kulturës, e dijes, pjesë e ndërgjegjës, pjesë e patriotizmit ndaj dashurisë së pronës së shtetit.

Referenca
1 Strategjia e ZHEL-it 2007-2010
2 Raporte të punës

Mehdi Krasniqi

Malishevë, shtator 2015