Transformimi i FSK-së në ushtri peng i Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur i bindur se do të ndodhë transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, por përkundër kësaj ai nuk ka dhënë një datë se kur do të ndodhë ky transformim.

Ai këto komente i bëri pas takimit prezantues për arritjet dhe planet në sigurinë e Kosovës, me theks të veçantë për FSK-në, me ambasadorët e akredituar në vendit tonë me temën “Kosova e mbrojtur dhe e Sigurt”.

Me këtë rast Haradinaj ka thënë se Kosova ka arritur nivelin e zhvillimit, i ka përmbushur argumentet e nevojshme që të ndodhë transformimi i FSK-së në ushtri, por duhet të vendosë për mënyrën e ecjes përpara.

“Janë dy mënyra që do të ndodh transformimi, pra është ndryshimet e neneve kushtetuese ose është edhe  avancimi në bazën ligjore për ushtrinë. Ambasada e Amerikës ka ndihmuar në vazhdimësi pra për rritjen e besimit të ndërsjellë në radhë të parë në marrëdhëniet ndër etnike në tërësi në Kosovë, por edhe ne marrëdhëniet ndër etnike në kuadër të FSK-së, është kontribut i madh i tyre. Tash marrja e votës është një proces politik dhe jam thellë i bindur që nëse jo përmes bazës kushtetuese, atëherë përmes avancimit të bazës ligjore do të ndodhë transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës”, tha Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri ka potencuar se transformimi i FSK-së në ushtri nuk nënkupton marrjen e detyrave të KFOR-it, por sipas tij Kosova nga një absorbues kthehet në kontribuues të sigurisë në planin e brendshëm.

“Mendoj se argumentet për të marrë besimin e të zgjedhurve serb, në këtë rast të Listës Serbe vërtet janë plotësuar. Mirëpo, vendimi është politik dhe meqenëse është politik pra nuk e kemi të qartë këtë votë. Duke qenë kështu, Kosova ka arritur nivelin e zhvillimit, i ka përmbushur argumentet të cilat janë të nevojshme që të ndodhë transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës. Por, duhet të vendos për mënyrën e ecjes përpara dhe sot ju kam prezantuar në hapje, por edhe në përfundim që Kosova është e gatshme nga një absorbues i sigurisë, të kthehet në kontribuues të sigurisë, në planin e brendshëm, në planin rajonal dhe në planin global. Pra, përmes transformimit të FSK-së në ushtri. Njëkohësisht, transformimi i FSK-së në ushtri nuk nënkupton marrje e detyrave të KFOR-it”, tha ai.

I pyetur se a ka marrë mbështetje nga ambasadorët e akredituar në Kosovë, kreu i Qeverisë është shprehur se nuk ka pozicione kundër.

“Arsyeja pse kemi zhvilluar një dialog të tillë me diplomatët me të gjitha vendet është se ecja me ushtrinë e Kosovës të kuptohet drejt si kontribut për sigurinë e të gjithëve në vend, pra të gjithë qytetarëve, për rritje të sigurisë dhe njëkohësisht të kuptohet drejt se është një kontribut për sigurinë në rajon dhe globale. Por, të gjithë fitojnë një partner, e qëndrimi im final ishte se me transformimin e FSK-së në ushtri kurrkush nuk humb. Nuk ka keqkuptime, nuk ka kundërshtime të hapura, nuk ka pozicione kundër”, është shprehur Haradinaj.

Ndërkaq, i pyetur rreth asaj se a ka ndonjë informacion që dikush nga anëtarët e kabinetit të tij nga pakicat serbe është kryetar i ndonjë organi paralel diku në Kosovë, kryeministri Haradinaj ka thënë se nuk ka ndonjë informacion të tillë.

“Nuk kemi ndonjë informatë të tillë, në të kaluarën plot të zgjedhur të Kosovës kanë mbajtur, kanë marrë paga të dyfishta është një proces i transformimit që ka ndodh në përplot nivele. Unë e dëgjova një lajm që është shkarkuar kryetari i Gorës i komunës, kur isha në vizitë te goranët deputeti Adem Hoxha, është vështirë me i konfirmuar këto, nëse është për atë fjala, apo nëse keni ju ndonjë të dhënë tjetër. Ajo që besoj që është me rëndësi të kuptohet është se komunitetet po e kthejnë besimin në Kosovë, po i besojnë Kosovës. Për shembull, sot edhe Gora i beson Kosovës dhe janë të hapur vërtet që Kosova, Prishtina, Qeveria e vendit të jetë Qeveria e tyre dhe për këtë po punojmë”, tha Haradinaj.

Në konferencën “Kosova e sigurt dhe e mbrojtur”, organizuar nga kryeministri i Kosovës, morën pjesë ambasadorët e akredituar në Kosovë, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, gjenerali i FSK-së Rrahman Rama, drejtori i NALT për Kosovën, gjeneral Ralf Hoffmann, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve në vend.