Thaçi flet për librat e marksizmit, akuzon opozitën

thaçi 1Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë përgjegjëse partitë opozitare për dhunën që u shkaktua në protestat e fundit në Prishtinë. Në një intervistë për Top Channel, Thaçi ka thënë se betejat politike në demokraci duhet të zhvillohen në institucione e jo në rrugë.
Ai ka thënë se askush nuk e ka justifikuar deklaratën e ministrit serb, Aleksandër Jabllanoviq, dhe e ka dënuar atë, por ka shtuar se dhuna ndaj shtetit është edhe më e papranueshme.
“Mendoj se organizatorët e protestës dje nuk kanë dëmtuar pushtetin, por kanë dëmtuar shtetin e Kosovës. Nuk kanë dëmtuar kundërshtarët politikë, por kanë dëmtuar shtetin e Kosovës. Sa më tepër gurë të përdorë opozita, aq më pak vota do të ketë nga qytetarët. Pastaj edhe organizatorët e protestës duhet ta kuptojnë se librat e marksizmit janë diçka tjetër, realiteti i demokracisë në Kosovë është diçka tjetër. Në Kosovë nuk fitohet pushteti me gurë, por me votën e lirë të qytetarëve”, ka deklaruar Thaçi.
Duke folur për frikën e minatorëve dhe protestuesve rreth pretendimeve të Serbisë për Trepçën, Thaçi ka theksuar se asnjëherë Trepça nuk do të jetë pjesë e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Në asnjë rrethanë nuk do të ndodhë që për Trepçën të diskutohet dhe dialogohet në Bruksel. Trepça është pronë e Kosovës, është pasuri e Kosovës, është e minatorëve, është e shtetit të Kosovës. Trepça do të punojë, Kosova do të ndërtojë, Kosova do të zhvillohet. Dhe është me rëndësi jetike distancimi i të gjithë minatorëve nga dhuna e shkaktuar në Prishtinë nga organizatorët e protestave kundër shtetit të Kosovës, në emër të minatorëve”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka folur edhe për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe qëndrimin e Listës Serbe për këtë temë.
“Unë shpresoj se do të votohet sepse Forcat e Armatosura të Kosovës janë forcë multietnike, e standardeve të NATO-s. Nuk janë formuar vetëm për shqiptarët. Kështu që nuk ka ndonjë arsye për të mos u votuar, vetëm se duhet një bashkëpunim edhe më i mirë në drejtim të asaj që t’i integrojmë të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa duke folur për Gjykatën Speciale, e cila duhet të formohet së shpejti, zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se tanimë kanë nisur përgatitjet. Ai ka saktësuar se është formuar një grup punue përbashkët me të gjitha institucionet përgjegjëse të Kosovës, ku janë përfshirë edhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.
Sipas Thaçit, ky grup pune po harmonizon çështjet mes institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve në Bruksel dhe sapo ta përmbyllin si proces do ta procedojnë në Kuvendin e Kosovës për aprovim. /Top Channel/