Teuta Rugova bashkë me PAN’in, nuk merr pjesë në seancë

Teuta Rugova ende nuk ka arritur në Kuvendin e Kosovës.

Ajo si duket po vazhdon të jetë në linjë me PAN’in, koalicion i cili po vazhdojë të bojkotojë seancën konstituive të Kuvendit.

Koalicioni PDK-AAK-NISMA (PAN), ka ritheksuar se nuk do të marrë pjesë në seancë për të propozuar kandidatin e tyre, duke e bojkotuar kështu edhe një tjetër tentativë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit.

Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra, në një prononcim për Periskopin, ka deklaruar se deputetët e koalicionit PAN nuk do të jenë pjesë e seancës së sotme, duke thënë se e njëjta është thirrur në mënyrë të njëanshme.

Ndërsa kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, më i moshuari i përbërjes së re, Adem Mikullovci, ka hedhur poshtë kërkesën e PAN-it për vazhdimin e konsultave.

Ai dje ka paralajmëruar se në këtë seancë do të ketë dy befasi, gjithnjë nëse do të ketë kuorum.

Ndryshe, ky është vazhdimi i katërt i  seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, një domosdoshmëri kjo për krijimin e Qeverisë së re, për të cilën nevojiten 61 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.