Të rinjtë e AAK-së: Dudia, Minaku dhe Gjarpëri po shesin kufijtë e Kosovës

protesta_aakDudi, Minak dhe Gjarpër janë tri emra me anë të së cilës të rinjtë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i janë drejtuar presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, në një protestë paqësore organizuar para ndërtesës së Qeverisë dhe Presidencës.

“O minak, toka jonë është larë me gjak”, “O gjarpër i zi, me kufi mos bënë tregti” dhe “Oj dudi a ki kufi” – janë tri prej sloganeve që, siç transmeton KP, kanë vendosur sot këta të rinj në rrethojat e këtyre ndërtesave, përmes së cilës edhe e kundërshtuan nënshkrimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Diellza Hoti, kryetare këtyre të rinjve tha se ata po ndihen të ofenduar nga jotransparenca e udhëheqësve të shtetit tonë në lidhje me çështjet e demarkacionit për kufirin e Malit të Zi dhe Asociacioni i Komunave.

“Ne kemi vendosur që sot ta bëjmë një aktivitet simbolik, për shkak se jemi shumë të zhgënjyer me gjendjen të cilën po mbizotëron në Kosovë, kjo është për shkak presidentes dhe kryeministrit të cilët po tregohen jo transparent dhe në bazë t ë aktivitetit tonë dëshirojmë të ua bëjmë me dije se ne nuk jemi të kënaqur, ne kërkojmë që të merren parasysh kërkesat tona, pasi që çështjet e demarkacionit për kufirin e Malit të Zi dhe Asociacioni i Komunave do të thotë kompetencat e ekzekutive të gjitha këto e bëjnë një problem të madh për neve dhe nuk po na bëjnë të konsiderohemi si rini, prandaj kishim lutur presidenten dhe kryeministrin të na marrin parasysh sepse kjo është çështje nacionale që na prekë të gjithë, ne jemi të ofenduar, duhet të merret parasysh gjithqysh”, tha ajo.

Ajo gjithashtu ka arsyetuar se pse edhe të rinjtë tjerë të partive tjera opozitare nuk iu kanë bashkangjitur.

“Ne kemi vendosur vet për arsye se e kemi parë që kryetari jonë është munduar në mënyrën më intelektuale dhe më dinjitoze ta shpreh pakënaqësinë dhe shqetësimin mbi këtë çështje, kur nuk është marrë parasysh ne nuk i kemi pritur të tjerët por kemi vendosur ta shprehim në këtë mënyrë”, u shpreh ajo.

Hoti shtoi se nëse kësaj radhe nuk merren parasysh nga ana e Qeverisë së Kosovës, do të ketë edhe aksione të tjera, në të cilat i presin të rinjtë e partive të tjera opozitare të iu bashkëngjiten.

Pas vendosjes së këtyre pankartave protesta përfundoi e qetë.