Të heq dorë ose të dorëhiqet

 

shqipe pantinaShkrim nga Shqipe Pantina

Marrëveshjet e fundit të nënshkruara nga Isa Mustafa nëse jetësohen do të ndikojnë drejtpërdrejt në përkeqësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe kjo jo vetëm në vitet në vijim por ato ua vështirësojnë jetën edhe shumë gjeneratave pas nesh. Këto marrëveshje na kthejnë dekada prapa dhe hedhin poshtë përpjekjet tona dhe të shumë aktivistëve politikë para nesh, plot prej të cilëve dhanë dhe jetën.

Me dhjetëra herë pas nënshkrimit të çdo marrëveshje na është thënë se Serbia po e njeh Kosovën. Në fakt Serbia po e njeh Kosovën si territor të vetin dhe në marrëveshjen e fundit Kryeministri aktual i Kosovës e ka konfirmuar duke vënë nënshkrimin e tij në një dokument i cili thotë:

“Serbia konsideron se në pajtim me ligjin vendor dhe ndërkombëtar dhe UNSCR 12 44 prona brenda territorit të Kosovës është në pronësi të Serbisë, sipas rregullimit specifik krahinor dhe në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Serbisë”. E, Kushtetuta e Serbisë e njeh Kosovën si territor të saj dhe me nënshkrimin e një marrëveshje të tillë Kryeministri pranon pretendimin e Serbisë mbi Kosovën dhe mohon shpalljen e pavarësisë së Kosovës ku përfundimisht shkëputet nga Republika e Serbisë.

E, kjo mund të jetë edhe arsyeja pse marrëveshjet e nënshkruara nuk janë sjellë për ratifikim në Kuvend. Nëse Kosova është shtet i pavarur atëherë çdo marrëveshje e nënshkruar me një shtet tjetër ka karakter ndërkombëtar dhe si e tillë duhet të ratifikohet me 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend. E, nëse këto nuk janë marrëveshje të reja atëherë pse duhej të nënshkruhen nga dy Kryeministra? Apo ndoshta Kryeministri nuk i konsideron marrëveshjet me Serbinë me karakter ndërkombëtar?

Të ndalemi tek marrëveshja për Asociacionin/Bashkësinë ose në emrin origjinal Zajednica e komunave me shumicë serbe e për të cilën është proklamuar nga ministrja Tahiri se është  vetëm një OJQ dhe nuk do ketë kompetenca ekzekutive.

Pika 2 e marrëveshjes garanton minimumin e kompetencave, elementeve siç thuhet, që do t’i ketë ky Asociacion, por nuk përcakton asnjë kufizim të këtyre kompetencave. Kjo do të thotë se ky entitet juridik e politik me statusin e tij të cilin do e miratojnë vet anëtarët mund t’i japë vetes  shumë më shumë kompetenca. Dhe me siguri se negociuesit dhe nënshkruesit e këtyre marrëveshjeve do të deklarojnë se ato kompetenca nuk janë ekzekutive dhe Kryeministri me një dekret do t’i jap dritën jeshile. Atëherë çfarë kuptimi ka ekzistenca e Kuvendit të Republikës kur  Qeveria arbitrarisht ka vendosur të marrë edhe rolin legjislativ të tij?

Tek objektivat pika 4 e kësaj marrëveshje thuhet se: “Objektiva kryesore e Asociacionit është ofrimi i funksioneve dhe shërbimeve publike”.

Funksione dhe shërbime publike ofrojnë vetëm institucionet publike të një vendi, por assesi organizatat jo qeveritare.  Të gjithë ata që thonë se ky entitet juridik, asociacion/bashkësi nuk paska kompetenca ekzekutive, atëherë a mund të na thoni se “funksionet dhe shërbimet publike” çfarë kompetencash janë?

Me ushtrimin e mbikëqyrjes (me përkthim të gabuar “vështrim” se në anglisht “overview” është mbikëqyrje) nga Zajednica në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, fushën e arsimit, shëndetësisë,  bashkëpunimi me asociacione tjera vendore e ndërkombëtare,  e edhe kompetenca tjera shtesë që mund t’i delegojnë autoritetet qendrore atëherë çfarë roli do t’i mbetet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Shëndetësisë, apo edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme në raport me komunat që do jenë pjesë e këtij Asociacioni.

Autoritete qendrore a kanë kompetenca ekzekutive apo jo, e delegimi i këtyre kompetencave tek Asociacioni bëhet me qëllim të ekzekutimit të tyre ndryshe pse do delegoheshin ato? A janë pra këto kompetenca ekzekutive që do t’i ketë Asociacioni?

Më tutje, Zonja Tahiri ka thënë disa herë se duke qenë një OJQ të punësuarit në Asociacion nuk do jenë shërbyes civilë.  Por në pikën 6 (e) të kësaj marrëveshje thuhet: Administrata udhëhiqet nga shefi i administratës … Stafi i administratës do të përfitoj nga statusi i të punësuarit në përputhje me ligjet e Kosovës përfshi Ligjin për shërbimin civilë.

Cilët punëtorë në Kosovë përveç të punësuarve në institucionet qeveritare dhe komuna, të drejtat e tyre i kanë të rregulluara me Ligjin për shërbimin civil?

Ajo çka është e çuditshme në këto marrëveshje në fakt është edhe vet forma e nënshkrimit të tyre. Nuk dihen kush janë autoritetet që kanë nënshkruar.  Nuk ka as emër e mbiemër e as pozitat që mbajnë nënshkruesit, Thjesht tri iniciale, tash a janë këta persona fizikë që kanë nënshkruar në emrin e tyre apo përfaqësues shtetesh apo institucionesh siç është BE?

Sido që të jetë Kryeministri tashmë e ka pranuar se është ai që i ka nënshkruar këto marrëveshje.

Kryeministri aktual Mustafa ka nënshkruar disa marrëveshje pas zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar e të cilat nuk i ka zbatuar; një me 7 qershor me Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj ku ishin marrë vesh për krijimin e qeverisë, e më pas me 10 shtator sërish me Limaj e Haradinaj por dhe me Albin Kurtin ku qenë akorduar për parimet mbi të cilat do të qeverisej shteti i Kosovës. Përkundër se në ato marrëveshje figuron emri i plote i  Isa Mustafës dhe pozita e tij si kryetar i LDK-së karshi nënshkrimit (për dallim nga marrëveshjet e fundit ku figurojnë vetëm inicialet e emrit të tij), ai hoqi dorë nga zbatimi i tyre dhe vendosi t’ua kthej shpinën partnerëve të tij sepse kështu ishte më mirë për atë vet dhe ndoshta partinë e tij.

Kryeministri Mustafa duhet të heqë dorë edhe nga vënia në jetë e këtyre marrëveshjeve dhe t’ja kthej shpinën Vuçiçit se kështu do të jetë më mirë për qytetarët e vendit e sigurisht edhe për vetë Mustafën.

Kryeministër Mustafa, është e pashmangshme se ju do të hiqni dorë, por a do hiqni dorë nga këto marrëveshje që keni nënshkruar apo nga pozita që mbani aktualisht, kjo ende mbetet në dorën tuaj.

*Autorja është deputete e Lëvizjes VETËVENDOSJE!