Takohen Ymeri dhe Kurti me Nishanin, ja çfarë biseduan

ymeri kurti

Presidentin i Shqipërisë, Bujar Nishani ka pritur sot në takim liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri si dhe deputetin e kësaj Lëvizje në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë këtij takimi, Nishani, Ymeri dhe Kurti kanë diskutuar për për nevojën e koordinimit të dy shteteve për çështjet rajonale, duke filluar nga mekanizmat për bashkëpunim ekonomik, të sigurisë dhe politikës së jashtme.

“Sot, takuam Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani. Gjatë bashkëbisedimit, në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! i bëra të ditur Presidentit qëndrimet e shqetësimet tona për situatën politike në Kosovë, por edhe gjendjen e shqiptarëve në rajon.

I thashë Presidentit se kufijtë e Kosovës janë kufij kombëtarë për të cilët është i obliguar edhe shteti shqiptar. Biseduam për nevojën e koordinimit të dy shteteve për çështjet rajonale, duke filluar nga mekanizmat për bashkëpunim ekonomik, të sigurisë dhe politikës së jashtme. Kemi ndarë me z. Nishani përvojën e Kosovës në çështjen e drejtësisë me ç’rast treguam se “drejtësia ndërkombëtare” ka rezultuar si legjitimuese e korrupsionit lokal.

Drejtësia për Shqipërinë duhet të burojë nga brenda, e kusht për këtë janë politikanët e pakorruptueshëm e kurajoz. Kemi ndarë shqetësimin mbi privatizimet e koncesionet që po e dëmtojnë ekonominë andej e këndej kufirit, duke shkaktuar papunësi e rënie të prodhimit vendor”, ka shkruar Ymeri në Facebook./A.M.