Stojanoviq: Nxënësit në Kosovë do të mësojnë me planprogram të Serbisë

stojaneviqStojanoviq thotë se nxënësit në Kosovë do të mësojnë me planprogram të Serbisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, ka thënë në Mitrovicë se institucionet arsimore në komunat që do të jenë pjesë e BKS-së do të punojnë me planprogramet e Republikës së Serbisë.

“Në Kosovë nuk ekziston një njeri i cili  pranon që fëmija i tij të mësojë me ndonjë program tjetër, përveç me këtë aktual”.

Zëvendësi i Isa Mustafës, Branimir Stojanoviq, ka thënë në Mitrovicë gjatë një debati të organizuar nga radio “Kontakt plus”, se “Zajednica” do t’i mbikëqyrë të gjitha institucionet arsimore në komunat që do të jenë pjesë e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (BKS).

Ai gjithashtu ka thënë se në të gjitha nivelet e shkollimit do të mësohet me planprogramet e Republikës së Serbisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

“Kjo është diçka që është arritur me Marrëveshjen e Brukselit dhe këtë do ta bëjë Bashkësia e Komunave Serbe. Asnjë opsion tjetër nuk është i mundur, për shkak se për këtë jemi marrë vesh në Bruksel. ‘Zajednica’ do ta kryejë mbikëqyrjen e të gjitha institucioneve edukative-arsimore në komunat, të cilat do të jenë anëtare të BKS-së”, ka thënë Stojanoviq, i cili ka shtuar se ekzistojnë iniciativa dhe dëshira individuale në Prishtinë që BKS-ja të jetë një OJQ.

“Tani ka mbetur puna tek njerëzit që do ta hartojnë statutin e BKS-së dhe tek ata të cilët do të përkujdesen që politikisht statuti të mos shkojë nën atë që është vendosur si minimum dhe në praktikë institucionet tona edukative në të tria nivelet, fillore, të mesme dhe të superiore, të vazhdojnë të funksionojnë sikurse deri më tani, shpresoj edhe më mirë”, ka thënë ai.