Sqarim i Komunës së Malishevës për terenet sportive

komunaKomuna e Malishevës ka sqaruar opinion lidhur me lajmin e publikuar sot në MalishevaPress lidhur me planifikimin për ndërtimin e fushave të futbollit në shkollat e Maxharrës dhe Gajrakut, dhe ku vihej në theks se fshati Maxharrë nuk ka shkollë ndërsa në fshatin Gajrak shkolla është e mbyllur.

Komuna ka sqaruar se terrenet sportive do të bëhen për të rinjtë e këtyre fshatrave, dhe arsye pse është përmendur shkolla ka qenë se janë futur në një zë buxhetor.

Më poshtë sqarimi i plotë i Komunës së Malishevës:

Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit, ju bëjmë me dije se fushat sportive në Gajrak dhe Maxharrë, janë planifikuar të ndërtohen për rininë e këtyre dy fshatrave, pasi janë kërkesa të dala nga vet banorët e këtyre fshatrave, ndërsa miratimi i këtyre dy kërkesave, apo mosmiratimi, është çështje e anëtarëve të Kuvendit të Komunës.

Po ashtu, sqarojmë opinionin, se arsyeja e futjes së këtyre dy fushave, me fushat tjera sportive në shkolla, është bërë për shkak se janë futur me një zë buxhetor, prandaj edhe në dokumentin e shpërndarë për anëtarët e Kuvendit e Komunës, ato fusha sportive, figurojnë bashkë me fushat sportive që janë planifikuar të ndërtohen në fshatrat apo shkollat tjera. Sqarimet për këtë, janë dhënë edhe në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Komunës së Malishevës, të datës 28.09.2016, mbledhje e cila ka qenë e hapur për publikun dhe mediat.

Edhe të rinjtë e Maxharrës dhe Gajrakut, kanë të drejtë të kenë terrene sportive dhe rekreative, sikur të gjithë të rinjtë tjerë të Komunës së Malishevës, dhe angazhimi ynë është dhe do të vazhdoj të mbetet, krijim i kushteve sa më të mira për të gjithë qytetarët e saj, përfshi edhe  banorët dhe të rinjtë e fshatrave më të vogla me banorë, pasi të gjithë janë të barabartë.