Sot vazhdimi i seancës së ndërprerë vetëm për marrëveshjet me Serbinë

Kuvendi-i-Kosovës-635x358Sot, në orën 11:00, vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë më 17 shtator. Kështu vendosi dje Kryesia e legjislativit. Në komunikatën e saj ajo saktësoi se vazhdimi i seancës do të ketë vetëm një pikë të rendit të ditës: raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel, më 25 gusht 2015.

Ndërsa theksohet se për këto marrëveshje do të raportojë Qeveria, në komunikatë nuk përmenden emra se kush do të raportojë në emër të saj.

Në seancën e të enjte së shkuar, që kishte në rend të ditës raportimin rreth marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë në Bruksel, të cilësuara nga opozita si të dëmshme dhe të papranueshme për vendin, kryeministri Isa Mustafa nuk doli para deputetëve, me arsyetimin se mungonin disa nga ata (ministrat) të cilët kanë qenë pjesë e negociatave që rezultuan me marrëveshje midis dy vendeve, transmeton Koha.net.

Seanca e Kuvendit qe ndërprerë para kohe, pasi opozita nuk lejoi kryesuesin e seancës, Sabri Hamiti, ta nxjerr në votim mocionin e LDK-së për shtyrjen e raportimit të kryeministrit Isa Mustafa, i cili kishte kërkuar vetë të informonte deputetët për marrëveshjen e fundit.

Mungesa e Hashim Thaçit e ka bërë të pasigurt Isa Mustafën që të përballet i vetëm me deputetët, që po kundërshtojnë fuqishëm 4 marrëveshjet me Serbinë.

Kjo ngriti në këmbë të gjithë deputetët opozitarë. Ata, të vendosur, nuk largoheshin e nuk e lejonin as kryesuesin të vazhdonte rrjedhën e seancës, që bëri që seanca të mos vazhdonte.

Opozita ka nisur nënshkrimin e një peticioni për anulimin e disa marrëveshjeve me Serbinë.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dje, gjatë mbledhjes së Kryesisë, ka kërkuar nga opozita që ‘të mos bëjë teatër në sallën e Kuvendit’.

Veseli ka kërkuar që të gjithë të bëjnë debat dinjitoz. Por kryekuvendari ka kërkuar po ashtu nga ekzekutivi që të jetë më korrekt me deputetet e jo dy ditë më herët të kërkojë shtyrjen e raportimit.