Sot procedohet Mocioni për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës

Ashtu siç dje edhe ka raportuar Gazeta Blic, Grupi Parlamentar NISMA për Kosovën ka siguruar 41 nënshkrime të deputetëve dhe tashmë i ka votat e mjaftueshme që mund ta dërgojë në kryesinë e Kuvendit mocionin e mosbesimit ndaj Kryeministrit, Isa Mustafa.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi në një prononcim për Gazetën Monitor ka thënë se mocioni për rrëzimin e Qeverisë do të dorëzohet në Kuvend të hënën.

Mbledhjen e 41 nënshkrimeve për rrëzimin e Qeverisë, Krasniqi e ka quajtur këtë si suksesi i parë i kësaj , ndërsa suksesi i dytë do të varet nga deputetët e tjerë të Kuvendit të Kosovës.

Në anën tjetër, media vendore kanë raportuar që ka gjasa që Mocioni për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës mund të procedohet edhe sot në Kuvendin e Kosovës.

Mbetet të shihet gjatë ditës nëse ky Mocion do të dorëzohet sot apo të hënën.

Vet Kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj është shprehur se nesër ose pasnesër do të procedohet në kuvend mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Mustafa.

“Nuk besoj se mund të kemi seancë nesër por mund të them por nesër pasnesër mund të procedohet. Këto ditë janë vendimtare nëse do të shkohet a jo në zgjedhje. E në këtë mënyrë kuvendi ka 5 ditë kohë për ta proceduar.”

Në anën tjetër vet Mustafa sot do të udhëtojë në Londër për nënshkrimin e një marrëveshjeje. Për këtë Gazeta Blic ka raportuar në edicionin e mbrëmshëm.