Sot përsëri tentohet të votohet Gjykata Speciale

kuvendiKKuvendi i Kosovës sot do të votojë amendamentin kushtetues, i cili i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, në përpjekjen e dytë brenda një muaji. Me gjithë bindjen e Qeverisë se nuk do të jenë problem numrat, Specialja nuk pritet të kalojë lehtë. Kjo pasi opozita nuk i ka përjashtuar as veprimet radikale për të penguar votimin e saj.

Në orën 10:00 sot Kuvendi mban seancë me të vetmen pikë të rendit të ditës: Ri-procedimi i Propozim-Amendamentit numër 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Një ditë para votimit të Gjykatës Speciale në Kuvend, zyrtarë të Qeverisë kanë shfaqur shpresa në suksesin e kalimit të amendamentit, veprim i cili do të pasohet me procedimin e menjëhershëm të ligjit për dhomat e specializuara dhe ligjit që u jep mbështetje financiare të akuzuarve potencialë pranë Gjykatës Speciale. Qeveria që drejtohet nga kryeministri Isa Mustafa nuk ka një plan të tretë, nëse nuk kalon sërish themelimi i Speciales. Janë të bindur se nuk do të ketë dështim të dytë.

“Nuk planifikohet dështimi, por suksesi”, ka thënë të dielën Besnik Berisha, ekspert këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa. Ai ka treguar edhe për skenarin që do ta ndjekë Qeveria, në rast se Kuvendi miraton ndryshimet kushtetuese. Qysh gjatë ditës së hënë Qeveria do të mblidhet për ta riproceduar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorin e Specializuar. Sipas Berishës, bashkë me të do të dërgohet edhe Projektligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara