Sot përpjekja e katërt për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit!

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se sot duke filluar nga ora 10:00 është thirrur vazhdimi i seancës konstituive, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit të Parlamentit dhe nënkryetarëve.

Megjithatë, koalicioni PDK-AAK-NISMA, ka ritheksuar se nuk do të marrë pjesë në seancë për të propozuar kandidatin e tyre, duke e bojkotuar kështu edhe një tjetër tentativë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit.

Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra, në një prononcim për KosovaPress, ka deklaruar se deputetët e koalicionit PAN nuk do të jenë pjesë e seancës së sotme, duke thënë se e njëjta është thirrur në mënyrë të njëanshme.

Sipas saj, nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, e ka bërë të qartë se Grupi Parlamentar do të bojkotojë seancën,  në rast se nuk mbahet takimi konsultativ i të gjitha subjekteve politike.

“Nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj e ka bërë që ditur qëndrimin që nuk marrim pjesë në seancë pasi ajo është thirrur në mënyrë të njëanshme. Zoti Hoxhaj ka propozuar që të mbajmë takimin konsultativ të mërkurën, dhe  më pas të thirret seanca”, tha Deliu-Kodra.

Ajo ka shtuar se PDK është për zgjidhjen e krizës institucionale përmes një konsensusi në mes të të gjitha subjekteve politike dhe jo siç deklaroi ajo, në mënyrë të njëanshme.

Ndërsa kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, më i moshuari i përbërjes së re, Adem Mikullovci, ka hedhur poshtë kërkesën e PAN-it për vazhdimin e konsultave.

Ai madje gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar se në seancën e nesërme do të ketë dy befasi, gjithnjë nëse do të ketë kuorum.

Në anën tjetër, Shtetet e QUINT-it kanë shprehur brengosjen e tyre lidhur me situatën politike në Kosovë, duke thënë se është përgjegjësi e liderëve kosovarë t’i krijojnë institucionet por edhe të ndërmarrin reformat e nevojshme që të parandalojnë bllokada të tilla në të ardhmen.

Ndryshe, sot për herë të katërt do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, një domosdoshmëri kjo për krijimin e Qeverisë së re, për të cilën nevojiten 61 votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.