Sot grevë dyorëshe në shkolla, Haradinaj takim me SBASHK

E marta e 20 shkurtit do të gjejë tërë arsimin e Kosovës në grevën dyorëshe.

Greva do të mbahet në dy orët e para të mësimit të paradites dhe në dy orët e para të mësimit të pasdites në të gjitha shkollat e Kosovës, kurse universitetet do të jenë në grevë nga ora 10:00 deri në orën 12:00.

Kështu thuhet në një komunikatë të SBASHK-ut, ku sqarohet se duke e parë se pas grevës njëorëshe në tërë sistemin arsimor, kishte reflektim të pamjaftueshëm të Qeverisë së Kosovës ndaj kërkesave të të punësuarve në arsimin e Kosovës,  SBASHK-u vazhdon me veprimet sindikale, ashtu si është vendosur në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj do të presë sot gjatë ditës në një takim kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, për të diskutuar lidhur me gjendjen aktuale në arsim.