Sot, 13 vjet nga aksidenti tragjik i maturantëve të Malishevës (video)

maturantet-fushearrezSot bëhen plotë 13 vite nga aksidenti tragjik në Fushëarrëz të Pukës ku humbën jetën 15 maturantë të Shkollës së Mesme Abdyl Frashëri (Hamdi Berisha) të Malishevës teksa po ktheheshin nga një ekskursion nëpër viset shqiptare.

Në përkujtim të kësaj ngjarje të dhimbshme dhe tragjike, sot në orën 14:00 e cila përkon edhe me kohën kur ka ndodhur ngjarja tragjike familjarët do të mblidhen në varrezat e maturantëve për të përkujtuar të dashurit e tyre.

TV Puka në vitin 2014 ka bërë një reportazh në përkujtim të maturantëve të vdekur tragjikisht të cilin po e risjellim.

Kurse gazeta shekulli e asaj kohe kishte shkruar :

Gjimnazistët kosovarë ktheheshin nga ekskursioni në Shqipëri, kur autobuzi i tyre u përplas me një Benz. Dhjetëra të plagosur

Gjergj Marku & Bashkim Shala

PUKË- Ka përfunduar tragjikisht ekskursioni në Shqipëri i një grupi gjimnazistësh kosovarë. 14 prej tyre kanë humbur jetën në një aksident që ndodhi rreth orës 14:30 të ditës së djeshme, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë. Aksidenti fatal ka ndodhur në Fushë- Arrës kur autobuzi me nxënës kosovarë po i drejtohej qytetit të Malishevës, pas pesë ditësh qëndrimi në Shqipëri. Burime nga vendngjarja thanë për gazetën se tragjedia ndodhi pas përplasjes së autobuzit me nxënës kosovarë me një automjet tip Benz me targa të huaja që drejtohej nga një shtetas nga Puka. Si pasojë e përplasjes, autobuzi me nxënës ka rënë disa metra poshtë në humnerë. Bilanci ka qenë tragjik. 14 nxënës të shkollës së mesme “Abdyl Frashëri” të Malishevës kanë gjetur vdekjen së bashku me drejtuesin e automjetit Benz, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur. 

Ngjarja 

Aksidenti tragjik ka ndodhur në vendin e quajtur shkalla e Fushë Arrësit, rreth 500 metra në afërsi të këtij qyteti. Ka qenë ora 14:30, e ditë së djeshme kur dy automjetet, një autobus dhe një makinë tip Benz janë përplasur me njëra tjetrën. Sipas burimeve të para policore, autobuzi i Kosovës, i shoqërisë Arbëria Turist i Suharekës, me targë 283 KS 293, vinte në drejtim të Fushë Arrësit dhe në të ndodheshin mbi 50 persona, pjesa më e madhe të cilëve gjimnazistë. Autobuzi pas të cilit vinin dhe 5 të tjerë me nxënës ekskursionistë nga Kosova, është gjendur papritur nën goditjen e një makine tip benzi që vinte në kah të kundërt. Rruga ka qenë e drejtë dhe e shtruar, ndërsa mendohet se shpejtësia e benzit ka qenë e madhe, ndërkohë që ajo i është avitur autobusit thuajse në mes të rrugës. Duke parë ardhjen përballë me shpejtësi të benzit me targa italiane SV 330604, që drejtohej nga Nikollë Qafa, shoferi kosovar i autobusit, Brahim Bala, është munduar që të manovrojë, për t’i hapur rrugë sa më shumë nga krahu i tij normal, madje duke e shtyrë gomën e parë të autobusit deri në bordurën, që kufizonte rrugën me greminën poshtë. Megjithë këtë devijim, të paktën nga matjet e bërë nga specialistët, rezulton se goditja e Benzit ka qenë tepër e fortë. Kjo dukej dhe nga devijimi i tij në afërsi të kodrës në anën e djathtë të rrugës. Ndërkohë që dhe motori i benzit ishte shkëputur nga makina. Kjo goditje ka bërë që autobusi, të spostohej edhe më nga bordura dhe gomat të kalonin matanë. Si pasojë, autobuzi me nxënës është përmbysur në greminë

Interesimi kosovar

Mësohet se në orët e para të aksidentit janë dhënë lajme kontradiktore, dhe se shpresohej se nuk kishte të vdekur, por vetëm të plagosur. Por ndryshe nga sa jepej në media, përmes celularëve të gazetarëve mësohej e vërteta e një kasaphane tragjike në fëmijët e shkollës së mesme Malishevë të Kosovës. Personi i parë kosovar, që ka kontaktuar me gazetarë vendas përmes telefonit ka qenë Veton Surroi, i cili tha se ishte nisur për në vendgjarje, ndërsa në Kosovë u ndërpre menjëherë fushata elektorale. Më pas mësohet se në Pukë kanë ardhur dhe ministri i Rendit shqiptar, Igli Toska, ai i Mbrojtjes, Majko dhe i Energjitikës, Viktor Doda, etj.

Shkaqet

Grupi hetimor që ka mbërritur për të zbardhur ngjarjen, shkaqet që çuan në këtë aksident tragjik, ka punuar deri vonë, duke bërë matjet e duhura, por për arsye të errësirës që filloi të bjerë ende nuk ka dhënë përfundimet shkencore të kësaj tragjedie, por që në pohimet e para jozyrtare, thuhet se gjithçka ka ardhur nga goditja që makina tip benz e drejtuar nga Nikollë Qafa, i ka bërë në rrotën e pasme autobusit me nxënës që po ecte në drejtim të Kosovës. Mësohet se Nikollë Qafa ka vdekur, ndërsa një pasagjer tjetër me mbiemër Mema, po nga Fushë Arrësi, që ndodhej në sediljen e parë të benzit, kamarier në një lokal të Fushë Arrësit është në gjendje të rëndë. 

15/10/2004
shekulli