SKANDAL || Avdullah Hoti e bllokon ATK-në për “dostin” e tij. Ja të gjitha shkeljet që u bënë

avdullah-hoti

Ministri i Financave Avdullah Hoti, tash e sa muaj e ka bllokuar emërimin e Drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës dhe atë me kushtin e vetëm, që ose Nait Sharku të vijë në këtë post, ose do të anulohet konkursi.

Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda ATK-së në kushte anonimiteti, të cilat kanë treguar se ATK-ja po vazhdon me mosemërimin e Drejtorit, ndonëse kanë kaluar 40 ditë që kur është mbyllur intervista për këtë pozitë.

“Ministri Hoti e ka bllokuar emërimin e Drejtorit të ATK-së, me kushtin: ose Sharku, ose konkursi të anulohet”, i kanë thënë Gazetës Blic disa zyrtarë brenda Administratës Tatimore të Kosovës.

Isa Mustafa po heziton t’ia japë “lejen” Sharkut

Kjo zvarritje për emërimin e drejtorit sipas të njëjtave burime, po ndodhë  ngase Kryeministri ka hezituar ta emërojë Sharkun, i cili konsiderohet si njeri i ministrit Hoti.

“Pas presioneve të mëdha të Ministrit Hoti për emërimin e Nahit Sharkut, Kryeministri ka hezituar për ta bërë këtë, për shkak se Prokuroria Speciale e Kosovës dhe  Krimeve Ekonomike (regjioni i Prishtinës), ka paralajmëruar se z. Sharku është duke u hetuar për keqpërdorim të detyrës dhe ndërhyrje politike me vendime të kontestuara të ngritjes së njerëzve të LDK-së, në pozita menaxheriale”, kanë thënë ndër të tjera, këto burime.

Ndonëse sipas tyre, Ministri Hoti është në dijeni se Nahit Sharku është nën hetime nga Policia e Kosovës, siç kanë treguar këta persona të ATK-së, atij i është dhënë mundësia për ta udhëhequr Administratën Tatimore, qysh prej 1 qershorit të këtij viti, ani pse kjo bie tërësisht ndesh me ligjin. Kjo pasi,  sipas Ligjit për Shërbyes Civilë, ud. së udhëheqësit, emërohet vetëm për tre muaj, por jo si Sharku që i bie të jetë në atë pozitë gati qe 7 muaj.

Gjithmonë sipas të njëjtave burime, Avdullah Hoti dhe Nait Sharku kanë lidhje të mira familjare në Rahovec.

Përpos këtyre, ministri Hoti ka kërkuar që personave të kandiduar për këtë post, të mos iu kërkohet fare dokumenti, i cili dëshmon se personi nuk ka qenë nën hetime.

“Madje Ministri Hoti, personalisht në fillim të konkursit kishte kërkuar nga sekretari i përgjithshëm, që si kusht që ishte, kandidatëve për të aplikuar në konkurs,  të mos iu kërkohet fare si dokument certifikata nga gjyqi, i cili tregon se personi nuk është nën hetime. Ky dokument ishte futur si dokument i domosdoshëm vetëm pas kritikave në media dhe për këtë arsye ishte zgjatur konkursi kundërligjshëm”, kanë shtuar tutje këta zyrtarë.

Hesht Avdullah Hoti

Gazeta Blic e ka kontaktuar direkt ministrin e Financave, Avdullah Hotin, i cili me të marrë vesh se për çfarë temë bëhet fjalë, ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim. Mirëpo, ai dhe përgjegjësit për informim në Ministrinë e Financave, tash e dy ditë nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me këtë çështje.

Hoti me të ardhur në krye të kësaj ministrie kishte filluar disa reforma, duke i bërë edhe disa rokada në këtë dikaster, ku disa drejtues të Administratës Tatimore i pati zëvendësuar me disa njerëz të LDK-së.

Gazeta Blic para disa muajsh pati raportuar, se për shkak të shkarkimit të këtyre njerëzve të ATK-së, që konsideroheshin të afërt me PDK-në dhe zëvendësimin e tyre me njerëz nga LDK, kishte bërë që të rrezikohej edhe funksionimi i koalicionit ndërmjet këtyre dy partive. Ishte shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ai i cili kishte kërkuar nga “homologu” i tij nga LDK, Ismet Beqiri që ose të ndërpritej një praktikë e tillë, ose rrezikohej funksionimi i koalicionit. Grabovci kishte deklaruar madje, që priste që LDK-ja  t’i përmirësonte këto gabime. /Gazeta Blic/