Situata me EHKK në Malishevë nën kontroll, asnjë rast i infektuar deri tani nga rriqrat

Situata epidemiologjike me EHKK (Ethet Hemorragjike Krime Kongo) në territorin e Komunës së Malishevës, është nën kontroll dhe deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me virusin e EHKK.

“Kështu është deklaruar në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, të cilën e ka drejtuar nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha. Në këtë mbledhje është raportuar edhe për çështje tjera që lidhen me punën dhe aktivitetet e qeverisë komunale.

Drejtori komunal për shëndetësi dhe ai për mbrojtje dhe shpëtim, kanë deklaruar se pavarësisht rasteve të thumbimeve nga rriqrat, deri më tani, sikur edhe tri vitet e kaluara, nuk kemi raste të infektimit nga virusi i EHKK, ndërsa është duke vazhduar dezinsektimi i zonave që cilësohen endemike”, thuhet në njoftimin për media.

Përndryshe në mbledhjen e sotme të Këshillit të Drejtorëve, drejtorët komunal, kanë raportuar për punët dhe aktivitetet e vazhdueshme të drejtorive komunale. Kështu sa i përket buxhetit, përkatësisht hartimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, pas marrjes së qarkores së dytë buxhetore, është duke u punuar në hartimin e draft buxhetit, dhe me theks të veçantë është duke u punuar në aspektin e transparencës, ku gjatë hartimit të buxhetit do të përfshihen të gjitha grupet e interesit, përmes debateve dhe takimeve publike”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/