Sipas Kurtit, shteti i Kosovës po merret peng nga Serbia

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se shteti i Kosovës po mirret peng jo vetëm nga Kadri Veseli por edhe nga Serbia me partinë e saj si aksionare vendimtare për kreun e Kuvendit e të Qeverisë.

Sipas tij, ato 62 vota të cilat votuan dje kryeparlamentarin e nesër duan ta votojnë kryeministrin, janë shumicë në Kuvend. Mirëpo, veçse teknikisht janë shumicë. Në anën tjetër, sipas tij, tek 58 deputetët e tjerë, ka shumë më tepër vota qytetarësh të Kosovës dhe ato janë shumica shqiptare.

“Që prej konstituimit të Kuvendit tash kapja e shtetit po ndahet në ujdi me Serbinë. Kosova nuk është vetëm shtet i kapur. Shteti i Kosovës po mirret peng. Pra, jo vetëm Kadrija, por dyfish Serbia. Me strukturat paralele si mbetje e okupimit në çerekun e territorit të vendit tonë. Me partinë e saj si aksionare vendimtare për kreun e Kuvendit e të Qeverisë. Nuk është hera e parë që shqiptarëve u duhet të përballen me krajl e me mbret”, ka shkruar ai në facebook.