Siguria e përgjithshme në Malishevë vlerësohet e qetë nga KKSB-ja

1522064_670705666283043_901616373_nSot është mbajtur mbledhja e rregullt Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), i drejtuar nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ku është diskutuar siguria e përgjithshme në Malishevë, në veçanti siguria në shkollat e Komunës së Malishevës. Komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiteni Halil Morina, duke u bazuar në të dhënat policore, e vlerësoi të qetë situatën e sigurisë së përgjithshme. Kurse kryetari Begaj është shprehur “Të gjithë ne, e kemi obligim të angazhohemi për sigurinë në komunën tonë dhe të gjithë së bashku, mund ta ruajmë primatin e të qenit komuna më e sigurt në Kosovë”

Drejtori i Arsimit Avdi Morina,  tha gjatë këtij viti, është shënuar vetëm një incident, në Qendrën e Kompetencës, mirëpo kjo shkollë, tanimë, në mënyrë arbitrare, është nën menaxhimin e Agjencisë për Shkollimin Profesional.  Përndryshe, sipas drejtorit Morina, në shkollat e Komunës së Malishevës, nuk janë shënuar raste të incidenteve, kurse objektet shkollore, pothuajse të gjitha të ndërtuara pas luftës, janë me standarde, që përfshin edhe aspektin e sigurisë, siç janë daljet emergjente dhe çështjet tjera teknike, që lidhen me sigurinë.

Edhe Policia e Kosovës, lidhur me sigurinë në shkolla, thanë që janë në vëzhgim të vazhdueshëm dhe gjatë procesit mësimor, i kanë të shtuara patrullimet përreth shkollave.

Në mbledhjen e sotme të KKSB-së, u bisedua edhe për përgatitjet dimërore, në veçanti për masat preventive, në rastet emergjente, që mund të shkaktohen, si pasojë e të reshurave, sikur që kemi pasur vërshimet e janarit të këtij viti./MalishevaPress