Si po synon qeveria krijimin e zonave të reja ekonomike, kur i la të dështonin zonat e krijuara më parë

Derisa Qeveria synon themelimin e zonave të reja ekonomike, në anën tjetër janë disa të tilla që nuk funksionojnë fare apo pjesërisht. Zona e fundit ekonomike që pritet t’i bëhet fizibiliteti është në vendlindje të zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj, në Bajnë të Malishevës. Shpronësimet aty pritet të kushtojnë shumë për shkak se tokat janë private. Kryeministri ka paralajmëruar se nëse kostoja është e lartë, atëherë do të dështojë ky projekt.

Ishte ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili në njërën nga mbledhjet e Qeverisë kërkoi që në fshatin e shefit të partisë, Fatmir Limaj, në Banjë të Malishevës të ndërtohet një zonë ekonomike.

Dilema e madhe e kryeministrit Ramush Haradinaj është se tokat private në Malishevë kushtojnë shumë dhe kostoja e shpronësimit do të jetë e lartë.

Por ministri Hasani ka thënë se kjo komunë ka më së paku pronë publike, duke shprehur bindjen se nuk do të kushtojnë shtrenjtë pronat atje.

“Komuna e Malishevës është një ndër komunat që ka më sa paku pronë publike, ne kemi dashtë me shpallë me interes të veçantë, tani është përgjegjëse Ministria e Ambientit me pa se sa, qysh tek, është puna e vlerësimit, veç një mundem me thanë që ato nuk munden me kushtuar shumë, sepse ato janë, sipas informatave që i kemi, çmimet nuk janë të larta”, tha ministri Hasani.

Megjithatë, kryeministri ka bërë me dije se nuk do ta lejojë që projekti për zonën ekonomike në Malishevë të ketë kosto të lartë.

“Kur të vjen kosto, mundet ministri i Financave të thotë se kjo nuk bën dhe vendoset ashtu. Është mirë nëse shpronësimi s’del i shtrenjtë. Edhe vetë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj do të tërhiqet nëse e sheh që është kosto e lartë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se nëse kostoja e shpronësimeve është e lartë, atëherë më mirë është që ato para t’ia japin komunës për zhvillim.

Dështimi i Zonave Ekonomike

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, deri më tani janë themeluar tetë zona ekonomike.

Një ndër zonat ekonomike që ka dështuar është ajo e “Parkut teknologjik në Shtime” i themeluar në vitin 2013 me sipërfaqe prej mbi 10 hektarësh.

Në këtë hapësirë deri më tani janë të vendosura dy biznese që ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe tri të tjera janë në fazën e kontraktimit.

“Parku Teknologjik në Shtime” gjendet afër qytetit, pranë magjistrales si dhe udhëkryqit në mes të Shkupit – Prishtinës dhe Tiranës, me infrastrukturën fizike (rrugë, ujësjellës, kanalizim fekal, kanalizim atmosferik, trotuare dhe ndriçim).

Madje, sipas të dhënave zyrtare, bizneset aty janë të liruara nga taksa për leje ndërtimore dhe taksa komunale për aktivitetin afarist, raporton Gazeta Insajderi.

Pavarësisht kushteve që ofrohen aty, interesimi i bizneseve është i ulët.

Parku ekonomik në Mitrovicë

Parku Industrial në Frashër të Mitrovicës është krijuar në vitin 2014 me sipërfaqe prej 48 hektarësh.  Është  investuar në rregullimin  infrastrukturës fizike, prej tyre 10 hektarë janë rrafshuar dhe rregulluar për shpallje

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë, deri më tani janë nënshkruar 7 kontrata për të filluar investimet. Prej tyre, vetëm një investitor veçse ka filluar investimin, kurse të tjerët janë në procedurë rreth pikave gjeodezike dhe leje ndërtimit.

Parku Industrial në Lipjan

Parku Industrial në Lipjan është krijuar në vitin 2016, me një sipërfaqe prej 56 hektarësh. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së bashku me komunën e Lipjanit ka filluar investimin në rregullimin  e infrastrukturës fizikë në ketë zonë ekonomike – faza e parë.

Planifikohet që edhe në vitet vijuese MTI të vazhdojë me bashkë investim dhe finalizim të infrastrukturës fizike në mënyre që të krijojmë kushte më të mira për biznese.

Mbi të gjitha, ende nuk ka filluar implementimi i tij si zonë ku do të mund të operonin bizneset.

Zona Agro Industriale në Suharekë

Zona Agro Industriale në Suharekë është krijuar në vitin 2015 me sipërfaqe prej 28 hektarësh. Kjo zonë gjendet në fshatin Samadraxhë të kësaj komune.

Aty filluar investimi  i parë, fillimisht në energji elektrike dhe ujësjellës.

Në një sipërfaqe të tillë të kësaj zone industriale aktualisht janë nënshkruar tri kontrata si dhe me pesë përfitues të tjerë janë në fazën e nënshkrimit të kontratave.

Edhe gjatë këtij viti është duke u vazhduar me investime në infrastrukturës fizike.

Komuna e Suharekës pronën që e jep në shfrytëzim afatgjatë në Zona Agro – Industriale në Samadarxhë për bizneset ka planifikuar lehtësira, por nuk thuhet qartë se cilat janë ato./Insajderi.com