Si po shitet buka për 9 centë në shumë markete në Kosovë, cili është kualiteti i saj?

Çmimi i bukës zakonisht ulët ose ngritët varësisht edhe nga çmimi i miellit dhe në përgjithësi është i ngjashëm në tërë Kosovën.

Por, ka furra dhe dyqane të ndryshme të cilat mbajnë një çmim mjaft të lirë të saj.

Edhe pse kryesisht çmimi i bukës në tërë Kosovën është 0.30 centë, ka dyqane  të cilat një bukë e shesin 15 centë apo edhe deri në 9 centë.

E kjo gjë sipas furrtarëve lë edhe vend për dyshime, duke deklaruar se është e pamundur të shitet një bukë me një çmim të tillë.

Bajram Krasniqi, një furrtar i cili ka dyqanin e tij në Prishtinë, thotë se çmimi i bukës edhe prej 0.30 centë nuk sjell fitim.

Sipas tij, nëse dikush shet me një çmim më të ulët, atëherë ata ose punojnë me humbje ose përbërësit e asaj buke mund të jenë të dyshimta, pasi vetëm një kilogram miell kushton 0.23 centë.

“Askush nuk ka llogari ta shes një bukë me çmim prej 10 centësh, pasi një kilogram miell kushton 23 cent. Në përgjithësi, përmbajtja e bukës në përgjithësi është e njëjtë, e po ashtu edhe pesha e bukës është e njëjtë, mund të dallojë për 50 gramë. Edhe nëse ajo shitet me një çmim prej 30 centësh, fitimi nuk është i madh. Nëse nuk e shet  një sasi të madhe të bukës në ditë atëherë fitimi është shumë i vogël. Ne punojmë me orar të stërzgjatur në mënyrë që ta mbulojmë veten. Në rast se punojmë 8 orë në ditë me këtë çmim, vetëm se dalim minus. Për këtë, ne duhet të punojmë 12 orë. Pra, çmimi them se nuk është real as ky që është tani, por për shkak të konkurrencës edhe duhet mbajtur këtë çmim”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, qytetarët për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, mundohen të gjejnë vendet ku buka shitet më lirë.

Hajrullah Hasani, thotë se nëse e sheh se diku është buka më lirë, atëherë ai e blenë aty.

Ai beson se përmbajtja e bukës në përgjithësi është e njëjtë pa marrë parasysh edhe çmimin.

“Nuk u mbet me i besua askujt për bese. Po nuk po kemi çfarë të bëjmë, kudo që e marrim krejt njësoj janë, kështu që po e marrim ku po gjejmë më lirë, se ndryshe xhepi s’po na mbanë”, ka thënë Hasani për Indeksonline.

Indeksonline ka kontaktuar edhe me inspektoratin e Ministrisë së Tregtisë, mirëpo ata thonë se Inspektorati i Tregut bënë mbikëqyrjen e furrave të bukës vetëm në pikëpamjen e përputhjes së bukës me deklaracionin që ka bërë furra.

Në një prononcim për Indeksonline,  inspektori i kësaj ministrie, Naim Hajra ka thënë se nuk është në kompetencat e tyre ligjore që të inspektojnë edhe rreth çmimit të bukës.

“Bazuar në kompetencat ligjore, Inspektorati i Tregut bënë mbikëqyrjen e furrave të bukës vetëm në pikëpamje të përputhjes së bukës me deklaracionin që ka bërë furrtari. (P.sh nëse në deklaracion shënon që buka është 400gr, inspektorët verifikojnë peshën e bukës. Nëse buka nuk është në peshën e deklaruar atëherë pasojnë penalizimet. Gjithashtu inspektorët e tregut verifikojnë nëse peshoret e furrtarëve janë të kalibruara dhe të vulosura nga Agjensioni i Metrologjisë). Inspektorati nuk ka mandat të përcaktoj çmimin me të cilin shiten produktet në tregun e brendshëm, e në rastin konkret edhe buka”, ka thënë ai.

Ndryshe, ai ka bërë thirrje nga konsumatorët që t’i njoftojnë ata për çdo rast kur ata dyshojnë se buka nuk është në peshën dhe cilësinë e duhur.

Indeksonline ka kontaktuar edhe me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë rreth cilësisë së bukës në Kosovë, mirëpo ende ka marr një përgjigje për këtë çështje./Indeksonline/