Shtatori muaji i vdekjeve në komunikacion me 19 të vdekur

Aksident1Sikur asnjë muaj më parë, shtatori i këtij viti është karakterizuar me aksidente të shumta, e shpeshherë edhe me pasoja në njerëz, lëndime dhe humbje jete. Është tejet shqetësues fakti se për më pak se një muaj në aksidente trafiku humbën jetën 19 persona.

Sipas zyrtarëve policorë dhe njohësve të çështjeve të sigurisë kështu po ndodh për shkak të pakujdesit të ngasësve dhe joprofesionalizmit të tyre. Përveç tejkalimit të shpejtësisë, mosrespektimi i rregullave të komunikacionit, tentimet për tejkalim, shkak tjetër për aksidentet që kanë karakterizuar sidomos shtatorin, vlerësohet të jetë edhe kontrolli teknik jo i rregullt që u bëhet veturave.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, me gjithë numrin e madh të aksidenteve të kohëve të fundit, numri i aksidenteve me fatalitet në periudhën janar-gusht 2015 ka shënuar rënie në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Statistikat flasin se vjet nga janari deri në gusht janë regjistruar 76 aksidente fatale me 89 persona të vdekur, derisa në periudhën e njëjtë të këtij viti, numri i aksidenteve fatale ka shënuar rënie në 60, si dhe numri i personave të vdekur ka rënë në 68.

Sipas të dhënave, në vitin e kaluar për tetë muaj kanë ndodhur 11,012 aksidente, derisa këtë vit 11,511 aksidente. Zyrtarët policorë vitin e kaluar kishin shqiptuar 222,705 tiketa për pjesëmarrësit në komunikacion, kurse këtë vit 207,913 tiketa.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë për KosovaLive se policia me njësitë relevante të saj rregullisht ka ndërmarrë masa konkrete në ngritjen e nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor, veçmas në aspektin parandalues dhe veprues, duke zhvilluar një numër të madh të aktiviteteve në funksion të sensibilizimit të qytetarëve dhe vetëdijesimit të tyre lidhur me parandalimin e aksidenteve rrugore.

Ai ka theksuar se policia ka bërë fushata vetëdijesimi përmes spoteve të ndryshme televizive, broshurave, komunikatave, apeleve dhe informacioneve për publikun.

“Sa i përket muajit shtator 2015, ky muaj është mjaft shqetësues, sepse gjatë këtij muaji, nga 1 deri 24 shtator 2015, në aksidente fatale kanë humbur jetën 19 persona, ku në të shumtën e rasteve është konstatuar se deri te aksidentet kanë quar tejkalimi i shpejtësisë, mosmbajtja e distancës, pra mosrespektimi i dispozitave që dalin nga Ligji mbi sigurinë në komunikacionin rrugor. Edhe gjendja teknike e automjeteve, si dhe kushtet e rrugës janë ndër faktorët tjerë kontribuues”, ka potencuar Hoxha.

Ai ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të jenë më të kujdesshëm dhe t’i respektojnë rregullat që dalin nga Ligji për komunikacionin rrugor, në mënyrë që t’iu shmangen aksidenteve dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në uljen e numrit të jetëve të humbura në aksidente komunikacioni.

“Policia në mënyrë konsistente ka zhvilluar dhe implementuar plane operative policore konkrete, si dhe ka ndërmarrë masat e nevojshme ligjore duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave aty ku pjesëmarrësit në komunikacion kanë rënë ndesh me Ligjin mbi sigurinë dhe komunikacionin rrugor”, ka thënë tutje Hoxha.

Analisti i çështjeve të sigurisë në vend, Avni Islami, fajtor për aksidentet që po marrin dhjetëra jetë i lë personat që me anë të korrupsionit apo mitos, arrijnë të pajisen me leje të vozitjes. Sipas tij, në rrugë po dalin ngasës joprofesional.

Islami ka thënë për KosovaLive se problemet e mosfunksionimit të institucioneve të Kosovës tashmë po reflektojnë edhe tek komunikacioni, ku shumë udhëtarë dhe vet ngasësit po humbin jetën, gjë që po ndodh për shkak të korrupsionit dhe veprave që po kryhen dhe janë kryer edhe më parë nëpër auto-shkolla.

Ai fajëson auto-shkollat, të cilat sipas tij, lëshojnë leje të vozitjes duke marrë mito. Dukuria e korrupsionit po ndikon që të dalin rrugëve ngasës joprofesional.

“Personat përgjegjës për këto aksidente janë mekanizmat e tjerë të cilët i kontrollojnë auto-shkollat dhe janë pjesë e institucioneve të Kosovës. Për shkak të daljes së ngasësve joprofesional,l të cilët nuk po u nënshtrohen testeve si duhet, ata tashmë po bëjnë që të rritet numri i aksidenteve në Kosovë”, vlerëson Islami.

Sipas tij, faktor tjetër për aksidente dhe jo më i vogël për nga rëndësia është kontrolli teknik i automjeteve, ku bëhen lëshime të mëdha, duke ndikuar në rritjen e numrit të aksidenteve rrugore, shpesh me fatalitet.

“Përveç faktorit ngasës, shkak tjetër për numrin e madh të aksidenteve është edhe kontrolli teknik që u bëhet automjeteve, ku ka lëshime, sepse siç tregojnë vet ngasësit, sot është shumë lehtë të bëhet një kontroll teknik, ku vetëm japin mito dhe dalin në rrugë edhe me veturë me defekte”, ka theksuar Islami.

Këshilli i Sigurisë i Komunikacionit Rrugor i Kosovës ka diskutuar shpeshherë për gjendjen aktuale të sigurisë në komunikacionin rrugor, çështje kjo shumë e rëndësishme për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, por pak është punuar në drejtim të ndryshimit të gjendjes.

Dëshmi për këtë janë edhe të dhënat që Zyra për informim e Policisë së Kosovës i ka ofruar për KosovaLive, e të cilat flasin për pak më pak aksidente me fatalitet dhe viktima që kanë humbur jetën në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por edhe më tej aksidentet në komunikacion mbesin shkaktari më i madh i humbjeve të njerëzve.

Rikujtojmë se të dielën në një aksident që ndodhi “Te rrethi” në Prishtinë, janë lënduar 11 persona, njëri nga ta ishte në gjendje kritike.