Shtabi komunal dhe qytetarët të pakënaqur me mënyrën e dezinsektimit kundër rriqrave

Ditë më parë, në territorin e Komunës së Malishevës, ka filluar fushata e dezinsektimit kundër rriqrave, në zonat endemike, si  masë parandaluese në kuadër të masave për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo. Mirëpo, gjatë inspektimit të kësaj fushate, shtabi komunal për menaxhimin e kësaj situate, ka shprehur pakënaqësi lidhur me këtë formë të dezinsektimit.  Këtë fazë të dezinsektimit, është duke e bërë Ministria e Bujqësisë.

Gjatë inspektimit të sotëm të dezinsektimit në Pagarushë, shtabi komunal, i prirë nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ka dhënë vërejtje të shumta lidhur me mënyrën e realizimit të dezinsketimit. Madje, shtabi komunal, paralajmëron ministrinë përkatëse dhe operatorin, se nëse në ditët në vijim nuk respektohen  vërejtjet e dhëna sot, do të ndërpritet kjo mënyrë e realizimit të dezinsektimit.

Sipas shtabit komunal, i përbërë nga nënkryetari Hajdin Berisha, drejtori komunal i shëndetësisë Liridon Hoti dhe drejtori për mbrojtje dhe shpëtim Valon Gashi, që sot kanë inspektuar dezinsektimin, kanë gjetur këto probleme: mosprezenca e personit zyrtar të përcaktuar nga ministria për realizimin e dezinsektimit, mos publikimi i kontratës për realizimin e këtij projekti me rëndësi për banorët e Komunës së Malishevës, spërkatja e zonave larg vendbanimit dhe në vende jo të duhura, mos dezinsketimi i oborreve, çakordimi i grupeve për spërkatje në terren, si dhe largësia e madhe mes grupeve, e rrjedhimisht me këtë po mbesin edhe hapësira të dezinsketuara.

Po ashtu, edhe qytetarët e shumtë në kushte anonimiteti kanë thënë për malishevapress se këtë vit për dallim nga vitet tjera paraprake forma e dezinsektimi është tejet e dobët dhe ekipet të cilat janë duke e kryer sperkatjen e zonave endemike nuk janë duke i përfillur procedurat ashtu siç janë të parapara në strategjinë për mbrojtje nga rriqrat dhe ashtu siç ka ndodh ky proces në të kaluarën.

Sipas këtyre burimeve në fshatrat të cilat deri me tani është realizuar dezinsektimi, ekipet në terrën kanë qëndruar shumë shkurt, madje duke spërkatë vetëm rrugët kryesore pa depertuar fare në zonat tjera afër shtëpive dhe kopshteve.