Shqetësuese: 90 për qind e nënave të mitura në Kosovë braktisin bebet e tyre (VIDEO)

GjinekologjiaNëna e re e dinte se nuk po vepronte më së miri, kur vendosi të martohet në atë moshë, njofton Klan Kosova.

Por, ajo këmbëngul se kishte shumë arsye – kërkimi për një jetë më të mirë, ndër të tjera, pse veproi ashtu.

Por, a e gjeti atë jetë, kur u martua? Jo, as edhe për pak kohë.

Fatimja thotë se në vend të bukës, hëngri diçka tjetër – dhunë. Shumë bile.

Nuk vonoi gjatë në martesë dhe Fatimja mbeti shtatzënë. Për këtë arsye, siç thotë vetë, burri nuk e deshi më.

Në këtë situatë, ajo u detyrua të kthehet në shtëpi të prindërve, në Pojatë të Ferizajt.

Gjashtë muaj më pas, lindi. Përvoja që pati ishte e rëndë.

Të qenit nënë në moshën 17 vjeçare nuk është gjë e lehtë dhe Fatimja e di këtë.

Por, dashurinë për Krenarin – të birin, nuk e kurseu në asnjë moment. Duke iu kushtuar atij, po i kalon më lehtë vështirësitë.

Kjo nënë e re nuk është e vetmja që lindi fëmijë, në moshë të mitur.

Në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike janë shënuar edhe 15 raste të këtilla, nga fillimi i vitit, deri në nëntor.

Dy femra u bënë nëna në moshën 15 vjeçe, katër në moshën 16 vjeçe dhe nëntë të tjera lindën foshnje në vitin e 17-të jetës së tyre.

Megjithatë, këto shifra janë më të ulëta krahasuar me 2014.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në Gjinekologji, vitin e kaluar nëna u bënë  19 femra të mitura, njofton Klan Kosova.

Dy në moshën 15 vjeçare, katër si 16 vjeçare dhe dymbëdhjetë në duke qenë 17 vjeçe.

Shifrat e sivjeme janë më të ulëta edhe përsa u përket lindjeve që u bënë nga nëna në moshën 18 vjeçe. Në vitin 2015 u regjistruan 24 raste të tilla.

Por pse këto femra lindin fëmijë kaq herët? Disa nga to as që e mbajnë mend si mbetën shtatzënë.

E nga të gjitha këto raste të lindjes në moshë të hershme, pak nëna marrin foshnjat me vete.

Klan Kosova ka mësuar se pothuajse të gjitha lindjet e kësaj natyre kryhen në QKUK, pasi klinikat private nuk i lënë gratë të largohen pa bebet e tyre.

90 për qind e foshnjave që janë braktisur në qendrën klinike, bëhen, pa dëshirën e tyre, banorë të shtëpive strehuese.

Por si ndihen nënat që i lënë fëmijët e tyre? Psikologët thonë se ato pësojnë kriza të rënda emocoinale.

Kjo situatë në të cilën të rejat e vënë veten, pas lindjes së padëshiruar, mund të rezultojë me pasoja të rënda.

Sociologët thonë se janë prindërit dhe rrethi i afërm që duhet t’i qëndrojnë pranë femrave në fjalë.

Me gjithë këto raste, trendi i mbetjes shtatzënë të femrave të reja në Kosovë është shumë më i ulët se në vende tjera.

Në Amerikë, për shembull, çdo 26 minuta një tinejxhere mbetet shtatzënë.