Shpërbëhet Komisioni UP-MASHT dhe OVL UÇK

UP logoEnde pa filluar punën, u shpërbë komisioni i dalë nga marrëveshja mes përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit, Universitetit të Prishtinës, Këshillit Drejtues, Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK¬-së dhe Kryeministrisë, të cilët kishin për obligim që brenda një jave të gjenin një zgjidhje për kërkesën e Organizatave të luftës, për pranimin në UP, të mbi 1 mijë fëmijëve të kategorive të dala nga lufta.
Burime brenda këtij komisioni, kanë thënë për RTK¬-në se shpërbërja e Komisionit ka ardhur nga situata e krijuar politike rreth krijimit të institucioneve të reja. Madje, persona brenda këtij Komisioni kanë theksuar se personat e caktuar në këtë komision janë takuar vetëm një herë, përkatësisht vetëm një ditë pas protestave.
Ndërkaq, të kontaktuar nëpërmjet telefonit nga RTK, përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, ata të Rektoratit, Këshillit Drejtues, nuk kanë dashur të prononcohen rreth kësaj çështjeje. Përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e UÇK¬së, Xhavit Jashari, përmes telefonit, ka thënë për RTK-¬në, se nuk është në dijeni për këtë çështje.